E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti, vdekjet në lindje, Shqipëria tregues të mirë

TIRANE- Mijëra gra vdesin cdo vit në botë gjatë lindjes së fëmijës, megjithatë në një raport të publikuar së fundmi , Shqipëria nuk është problematike në këtë drejtim. Në raportin e gazetës prestigjioze britanike “The Guardian” Shqipëria renditet në vendin e 22, para Britanisë së Madhe e mjaft vendeve të tjera të zhvilluara si Francë, SHBA etj. Kjo do të thotë se ne kemi vdekshmëri më të ulët të grave gjatë momentit të lindjes. Konkretisht vdekshmëria e grave në Shqipëri është 8.1 në 100 mijë lindje. Pas Shqipërisë vjen Britania e Madhe ku për të njëjtin numër lindjesh, vdekshmëria është 8.2.
SHBA është në vendin e 39 me 16 vdekje në 100 mijë lindje e kështu me radhë. Italia është në vendin e parë e ndjekur nga Suedia dhe Australia , cka do të thotë se këto vende kanë një vdekshmëri të grave gjatë lindjes shumë më të ulët.
Vendi ynë ka tregues më të mirë se gjithë vendet e tjera të rajonit, si Maqedonia , Greqia , Serbia etj. Në raport përfshihen 181 vende dhe vendi me vdekshmëri më të lartë të grave është Afganistani. Globalisht numri i vdekjeve ka rënë në 343 mijë në vitin 2008. Krahasimet bëhen me vitin 1990 kur Shqipëria ka patur 36 vdekje për të njëjtin numër lindesh. Sipas këtij raporti, edhe në gjithë botën vihet re një përmirësim i kujdesit ndaj grave gjatë lindjes.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›