E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klaudio Baljoni: "Fjalët janë mallkimi im"

Klaudio Baljoni (ka lindur në Romë, më 16 maj të 1951-shit) është një kantautor italian, ndër më popullorët në Itali. Ai është cilësuar si kantautori "i ndjenjave", sidomos për këngët e dashurisë, që në vitet ‘70 i dhanë repertorit të tij një sukses të madh. Dalëngadalë, gjatë karrierës së tij 40-vjeçare është çliruar nga ky etiketim dhe ka treguar se është një artist poliedrik dhe novator, falë një zhvillimi muzikor e letrar që e ka lejuar të bashkojë shumë breza dëgjuesish, duke arritur kështu një popullaritet të madh. Karriera ka shkëlqyer gjithmonë nga shitjet rekord të albumeve dhe koncertet e mëdha ku merrnin pjesë mijëra njerëz. Klaudio ka publikuar 25 albume, prej të cilave 16 në studio dhe 9 në koncerte. Jashtë vendit njihet sidomos në Spanjë, duke qenë se ka publikuar një pjesë të mirë të diskografisë së tij në gjuhën spanjolle për tregun iberik dhe amerikano-jugor. Disa CD janë përkthyer në gjuhën kastiliane dhe franceze. Ekziston edhe një version i këngës "Questo piccolo grande amore" në portugalisht dhe një në anglisht.

Për ju Baljoni, ky është viti i "Q.P.G.A.". Çfarë nënkupton kjo?

Është evidentimi i shkurtimit "Questo piccolo grande amore". Pas fillimeve të mia, jo shumë të lumtura, mendova se nuk isha i prerë për muzikë dhe shkrova albumin e fundit në formën e një testamenti, duke thënë se publiku nuk më kishte kuptuar dhe se po e lija si trashëgimi.

Sa vite ka që merreni me muzikë?

Kam filluar të studioj muzikë për prej vitit 1963, por nuk isha shumë i pasionuar pas saj. Për një djalë si unë, nga periferia, ishte e vetmja mundësi për të dalë nga bota ime. Nuk doja të qëndroja duarkryq.

Këtë vit, me titullin "Q.P.G.A." është publikuar një libër, një film dhe gjithashtu do të bëhet edhe një koncert e album...

Po në film nuk shfaqem shumë, ndërsa në libër jam personazh kryesor. Koncerti do të jetë si vepër moderne dhe do të ketë fotografi të publikuara e të papublikuara që do ta shoqërojnë. Albumi do të jetë special, jashtë tendencës. Do të marrin pjesë edhe disa kolegë. Është përpjekja për të treguar një histori të jetuar në katër gjuhë të ndryshme.

Kënga e publikuar 37 vite më parë ka mbetur ende në mendjet e njerëzve...

Po, është e vërtetë. Edhe pse kanë kaluar kaq vite, ajo vazhdon të mbetet një këngë shumë e kërkuar. Pastaj, dihet që edhe pse mentaliteti i brezave ndryshon, fëmijët tanë pëlqejnë atë që pëlqejmë ne. Këto lloj këngësh, edhe pse i përkasin një arti që përcaktohet "i varfër", në disa raste kanë një forcë të madhe, si ajo e shkëmbit të fortë.

Si e konsideroni veten: shkrimtar, këngëtar, kantautor apo burrë spektakli?

Jam muzikant. Nuk jam shkrimtar, madje fjalët në një farë mënyre janë mallkimi im, sepse kam një lloj ndrojtjeje ndaj personave që punojnë me fjalët. Shkrimtar është ai që kërkon gjënë e duhur dhe korrekte, edhe pse duhet të kesh intuitë dhe frymëzim. Romani që kam shkruar është një aventurë prej 260 faqesh, por e kam jetuar në mënyrë romantike, sepse më pëlqente të shihja se çfarë do të ndodhte.

E keni shkruar ju?

Po, por nuk më pëlqen t‘u zë vendin të tjerëve, sepse në të vërtetë nuk jam shkrimtar.

Cila është poetika që ju ka dhënë kaq shumë sukses?

Ndoshta vëmendja ndaj gjërave të fshehta. Unë jam djalë i vetëm. Më kujtohen pasditet e shumta që kaloja me nënën time në kuzhinë, ku ajo gatuante, ndërsa unë luaja vetëm dhe mendoja. Krijoja personazhe, indianë, kauboj, sepse ndryshe nuk kisha se si ta thyeja qetësinë. Nga periferia dëshiroja të vija në qytet. Unë nuk isha si djemtë borgjezë.

Çfarë mendoni për botën e ditëve të sotme?

Mendoj se ka shumë pak pasion. Italia ka humbur shumë gjëra, sidomos ndershmërinë, që sot duket pothuajse groteske. Dikur, në lagjen ku banoja unë, kishte dyqane, në tabelat e të cilave shkruhej "Për të ndershmit", por askush nuk shkonte për të blerë. Një histori e ndershme është më mallëngjyese se një histori e trishtuar.

Po për muzikën?

Muzika e ditëve të sotme "po jeton" kohë të vështira, ashtu si artet e tjera. Muzika është kudo, e dëgjon anembanë, në parukeri, ashensor, dhe kjo e zhvleftëson. Muzika është droga më e fortë në botë, ku të gjithë, sado të përpiqen, nuk mund të heqin dorë prej saj. Ndërsa muzika popullore është ngushëlluese, të sjell ndërmend kujtime dhe krijon nostalgji.

Ndjenja të vërteta?

Muzika popullore i ngjan këmbësorisë dhe unë e pëlqej shumë, më bën të ndihem mirë. Fundja i detyrohem asaj, sepse jo vetëm që më ka dhuruar sukses, por më ka ndihmuar që të njoh edhe botën e të rritem. Në atë kohë ishte moda e grupeve dhe unë u bëra pjesë e njërit prej tyre. Doja që vajzat të më shihnin dhe djemtë të më respektonin. Në fillim ishte thjesht një hobi, më pas u bë pasion.

Keni arritur një sukses të jashtëzakonshëm. Ku fshihet sekreti?

Të jeni të bindur se nuk kam sekrete, thjesht vazhdoj të dëgjoj muzikën e 30 viteve më parë. Gjithmonë jam përpjekur ta arrij suksesin me punë, duke punuar çdo ditë. Shpesh jam bërë gati për finalen e madhe, por e kam shumë të vështirë ta braktis këngën.

A është problem për ju plakja?

Xhaxhai im më thoshte shpesh se të plakesh është diçka e shëmtuar, por nuk ke ç‘bën. Këngëtarët e muzikës pop plaken në një tjetër mënyrë, ndërsa ne, edhe pse i kemi mbushur të 60-at, vazhdojmë të qëndrojmë në skenë. Për momentin ndihem mirë, ndoshta pas pak vitesh do të kem vështirësi të zbres shkallët e shtëpisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›