E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veronika-Silvio, dashuria që nisi në teatër

Ishte 21 korriku i vitit 2008 kur Veronika Lario, që së shpejti do të jetë ish-gruaja e Kryeministrit Silvio Berluskoni, do të rrëfente në një intervistë: "Prej vitesh lexoj nëpër gazeta lajme që shkruajnë për divorcin tim. Për aq sa di unë, kjo gjë nuk bën ende pjesë në planet e mia". Vetëm disa javë më pas, më 5 gusht, Silvio do të thoshte: "Nuk mund të bëjmë paqe, nëse mes nesh nuk ka pasur luftë". Por, pavarësisht përpjekjeve për të fshehur krisjet dhe atyre që thuheshin e shkruheshin nëpër mediat anekënd botës, tani të gjithë e dinë se Veronika Lario, bukuroshja 52-vjeçare me sytë e gjelbër, kërkon t‘i japë fund martesës së saj 20-vjeçare me Kryeministrin 72-vjeçar, Silvio Berluskoni.

Njohja

Është thënë dhe është shkruar shumë mbi historinë e Veronikës dhe Silvios. Një histori që nisi në vitin 1980, rreth 3 dekada më parë, kur ai ishte një sipërmarrës i suksesshëm (shumë larg politikës) dhe ajo një aktore e bukur teatri. Kanë kaluar 29 vjet që kur Lario dhe Berluskoni u njohën në një dhomë të vogël teatri dhe më shumë se 19 vjet që kur të dy janë martuar. Ekzaktësisht ishte viti 1980 kur çifti u takua për herë të parë pas kuintave në ambientet e teatrit "Manzini", në Milano, ku Veronika, emri i vërtetë i së cilës është Miriam Raffaela Bartolini, interpretonte rolin e një gruaje që burri i sëmurë nga xhelozia e detyronte të tregonte lakuriqësinë. Në fillim lidhja ishte klandestine, pasi "perandori" Berluskoni në atë kohë ishte ende i martuar me Karla Dall‘Oglio, me të cilën kishte dy fëmijë, Marinën dhe Piersilvion. Pas më shumë se dhjetë vjet marrëdhënie të fshehur dhe divorcit me gruan e parë në vitin 1985, më 14 dhjetor të 1990-ës Veronika dhe Silvio vunë kurorë në një ceremoni martesore sekrete, edhe pse më parë kishin sjellë në jetë tre fëmijë.

"Është i parezistueshëm. Vetëm me këto fjalë mund të përshkruhet më mirë tipi i bashkëshortit tim", tregonte ajo në një intervistë të dhënë për francezen "Paris match" në atë kohë.

Nga Arcore në Macherino

Veronika ka mbajtur gjithmonë një profil të ulët, duke evituar daljet në publik përkrah të shoqit. Kanë qenë shumë të pakta rastet kur kjo gjë ka ndodhur, si për shembull, me rastin e vizitës së Bill dhe Hilari Klintonit në Romë, në vitin 1994, kohë kur Berluskoni sapo kishte fituar betejën e tij elektorale dhe dhjetë vjet më vonë, me rastin e ardhjes në kryeqytet të çiftit Bush. Megjithatë, ajo nuk ka treguar kurrë entuziazëm për shfaqjet në publik përkrah të shoqit, duke preferuar t‘i dedikohej vetëm rritjes së fëmijëve: Barbaras (1984), Eleonoras (1986) e Luixhit (1988), në vilën e tyre, në rezidencën në Macherio, që u bë shtëpia e re e familjes Berluskoni, pasi vila e tyre në Arcore, e lidhur kryesisht me adoleshencën e fëmijëve me gruan e parë, u shndërrua në selinë që Kavalieri e përdorte për çështje të lidhura me politikën. Por, nëse Veronika tregonte se nuk dëshironte të ishte përkrah bashkëshortit në publik, për Berluskonin kjo gjë nuk përbënte ndonjë problem të madh. Ai kurrë nuk kishte treguar se ndihej keq që paraqitej i vetëm në takimet institucionale dhe ndërkombëtare, ndryshe nga krerët e tjerë të shteteve, që gjithmonë shoqëroheshin nga zonjat e tyre përkatëse. "E vlerësoj shumë vendimin e saj për të qenë e rezervuar në ato çka bën", u thoshte Berluskoni gazetave, që në fillim e pyesnin shpesh se përse nuk shoqërohej kurrë nga Veronika Lario.

Krisja

Vështirësitë në çift u bënë publike këto vitet e fundit dhe në veçanti në vitin 2007, kur lideri i "Forca Italia"-s iu drejtua atëherë deputetes së re, Mara Carfagnas, me fjalët: "Nëse nuk do të ishe e martuar, do të isha martuar menjëherë me ty". Mes uljeve e ngritjeve, në janar të 2007-ës Veronika shkroi një letër në të përditshmen "La Repubblica", drejtuar të shoqit, Silvio Berluskonit, pasi ndihej e ofenduar për komplimentet që ai u kish bërë në publik disa grave të tjera. Zonja Berluskoni kërkoi nga bashkëshorti falje publike, si dhe që ai të hiqte dorë nga poshtërimet publike mbi rolin saj si nënë dhe grua. Vetëm pak orë më vonë, Kryeministri, po përmes një letre, iu drejtua asaj duke i kërkuar falje publike: "E ruaj dinjitetin tënd si diçka të çmuar. Ajo batutë ishte e momentit, e pamenduar mirë". "Një ultimatum", e cilëson Maria Latella, autore e "Tendence Veronica", biografia e Veronika Larios.

Haremi dhe barsoletat

Por atij ultimatumi Kavalieri as që ia vuri veshin. Vetëm disa muaj më vonë, në korrik të 2007-ës, publikimi në revistën "Oggi" të fotove që e tregonin Berluskonin dorë për dore me 5 aktiviste të reja të "Forca Italia"-s, me titullin "Haremi i Berluskonit", krijoi mundësinë për keqkuptime të tjera, që vetë Kavalieri ishte munduar t‘i anashkalonte duke treguar barsoleta në publik: "E dashur, ishin pesë vajza, por unë ngacmova vetëm katër prej tyre". Përgjigjja e saj? Shkoi në dhomë të bënte valixhet gati. Atëherë unë i thashë: "Do kthehesh te nëna jote"? "Jo, janë valixhet e tua". Në fakt, nuk ishte hera e parë që Kavalieri e bënte bashkëshorten e tij objekt të një batute publike. Më e famshmja ishte ajo e vitit 2002, me Kryeministrin danez, Rasmussen: "Ju jeni Kryeministri më i bukur i Evropës. Mendoj se do t‘ju prezantoj me gruan time, sepse ju jeni më i bukur se Cacciari (që sipas shumë thashethemeve, kishte pasur një flirt me Veronikën). Me atë që thuhet anembanë... E shkreta grua".

Ndarja

Javën e shkuar, Veronika publikoi një letër në agjencinë e lajmeve "Ansa", përmes së cilës cilësonte si "një proces të turpshëm dhe pa vlera" planin e Berluskonit për të përfshirë në listën e kandidaturave për në Parlamentin Evropian një seri vajzash në moshë të re. Po ashtu, ajo kritikoi me nota të ashpra pjesëmarrjen e Berluskonit në festën e ditëlindjes së një vajze 18-vjeçare nga Napoli, Noemi Letizia, që sipas Kryeministrit është bija e një të njohurit të tij të vjetër. Sipas asaj që u shkrua në "La Repubblica", konfirmohej se Lario pati thënë që "nuk mund të jetoj me një burrë i cili frekuenton vajza minorene". Sigurisht që ky do të jetë një nga divorcet më të shtrenjtë të historisë. Një divorc që, ashtu siç shkruajnë gazetat, do të quhet "Divorci i nëntë zerove".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›