Kurbin, i vihet flaka makinës së kryeplakut
KURBIN - I vihet flaka natën makinës së kryeplakut të fshatit Fushë-Mamurras. Persona ende të paidentifikuar janë futur në oborrin e banesës private të Bashkim Likës dhe pasi kanë spërkatur me benzinë mjetin e tij tip fuoristradë, i kanë vënë flakën. Sipas burimeve të policisë së Kurbinit, zjarri dyshohet se është vënë në mënyrë të qëllimshme, ndërsa po punohet për identifikimin e autorëve të zjarrvënies. Fatmirësisht, pronari i fuoristradës e ka dëgjuar në kohë largimin e zjarrvënësve. Ai është zgjuar dhe kur ka dalë në oborrin e shtëpisë së tij ka parë që mjeti ishte përfshirë nga flakët. Lika sinjalizoi menjëherë policinë dhe repartin e zjarrfikëses, të cilët mbërritën në vendin e ngjarjes dhe nisën hetimet. Mësohet se zjarrfikëset mbërritën shumë shpejt dhe bënë të mundur fikjen e zjarrit duke shpëtuar makinën nga djegia e saj e plotë. Sipas dëshmisë së dhënë në polici nga ana e kryeplakut Lika, nuk dihen arsyet e vendosjes së këtij zjarri të qëllimtë. "Unë kam në këtë detyrë mbi pesë vite dhe asnjëherë nuk kam pasur konflikte me njeri. Nuk e di kush mund të jetë personi dhe arsyeja pse ai i vuri flakën me benzinë makinës sime". Kështu është shprehur në polici kryeplaku i fshatit. Ai u kërkoi forcave të rendit të zbulojnë sa më shpejt autorët e këtij krimi të rëndë. Aktualisht po hetohet pista e zjarrvënies në mënyrë të qëllimte, për shkak të ndonjë konflikti të mundshëm të Likës ose për shkak të detyrës së tij shtetërore. r.n