Mrekulli shkencore,7-vjeçares i lëvizen gjashtë organe, i mbijeton operacionit
Edhe pse mund të duket një paradoks, një mrekulli e shkencës është arritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku një vajzë shtatë vjeçare e sëmurë nga kanceri i ka mbijetuar një operacioni që ka zgjatur 23 orë dhe në të cilin janë prekur gjashtë organe jetësore të saj. Kirurgët e spitalit "Morgan Stenli", në Nju Jork i kanë lëvizur vajzës stomakun, pankreasin, mëlcinë, zorrën e trashë e të hollë dhe shpretkën për të hequr një tumor malinj të madh sa një top tenisi. Vajza me emrin Hedhër Meknamara, e cila jeton në Long Ajlënd, është operuar 6 shkurtin e kaluar dhe tani është kthyer në shtëpinë e saj. Babai, një 46 vjeçar, ishte shprehur i gatshëm të dhuronte mëlcinë në rast se mjekët nuk do të arrinin të shpëtonin jetën e së bijës, por një gjë e tillë nuk ishte e nevojshme. Stafi i kirurgëve drejtohej nga Profesor Tomoaki Kato. "Ndërhyrja kirurgjikale e datës 6 shkurt në spitalin e fëmijëve "Morgan Stenli" ka zgjatur plot 23 orë. Kjo ndërhyrje ka qënë e dyta e këtij lloji në botë. Vajza kishte një tumor në një zonë mjaft të rrezikshme, që ndodhej në mes të barkut. Tumori gjendej pikërisht në mes të organeve të cilat ne u detyruam t'i lëvizim", ka deklaruar Profesor Kato. Në fakt, vajza e vogël dhe e sëmurë, ishte shprehur e gatshme të dhuronte organet e saj nëse operacioni nuk do të dilte me sukses. Organet e saj janë riinstaluar sërish, pasi kirurgët kanë hequr me sukses tumorin e madh nga trupi i vajzës. Vetë Meknamara tha për gazetarët se ndihej mirë dhe se mezi priste të luante sërish me të motrën dhe me qenin e saj me emrin Angel. Operacioni i parë i këtij lloji, po nga Profesor Kato, u krye në Florida, kur një gruaje iu lëvizën gjashtë organe dhe iu riimplantuan vitin e kaluar.