E Diel, 1 Nëntor 2026

Mrekullia e tetë e Vale Rosit

Valentino Rosi është kampion botë për të tetën herë në karrierë. Italiani i Yamahas ka fituar dje në Motexhi të pestin titull në MotoGP, të gjashtin në klasin Rexhina, të tetin në absolut, duke marrë në konsideratë edhe fitoret në 125 e 250. I mjaftonte vetëm ngjitja në pod, por ai ka preferuar më mirë që ta fitojë titullin e tetë si protagonist, duke fituar garën. Ka sulmuar Stonerin në mesin e garës, e ka kaluar, e ka lënë shumë pas, aq sa i ka mjaftuar për të fituar. Mbreti është akoma ai.

Më i bukuri

"Ai i 2004 dhe ky i tanishmi janë titujt më të bukur, që kam fituar. Më mungonte ndjenja e të qenit sërish kampion bote". Valentino Rosi shijon kështu mrekullinë e tij të tetë. "Është një ndjenjë speciale, kemi bërë një kampionat të madh, ka thënë Rosi, kisha thënë që doja të fitoja një kampionat kaq të bukur, duke fituar garën, ashtu si në 2004 dhe në kampionatet më të rëndësishme. Ia dola, kam luftuar me kundërshtarët e mi kryesorë, Stoner e Pedroza. Kështu ka më shumë kuptim. Kishte pak tension para garës, por isha mirë. Kisha një ecuri të mirë në nxemje, e dija që mund të fitoja".

Vite të vështira

Për Valentinon, ky titull ka një domethënie të veçantë, sepse ka ardhur pas dy viteve të vështira. "Sekreti i vërtetë i këtij titullit? Janë dy gjëra bashkë: qetësia ime dhe dëshira për të fituar. E gjitha me një motor kompetitiv, goma që i përshtaten një skuadre, që kishte më shumë dëshirë se unë për të fituar. Kemi ndërtuar së bashku situatën optimale. Ka qenë një luftë shumë e fortë me Stoner e Pedroza. Në këtë titull jam impenjuar më shumë, dhe e kam dashur jashtë mase shumë. Ai i 2004-ës ishte më i papritur dhe heroik. Kam fituar tre Botërorë me Yamaha, shumë si me Hondën. Shpresoj të fitoj akoma të tjerë".

Objektivat

Edhe e vështira tani kanë një shije tjetër, më pak shqetësuese: "Humbjet më kanë bërë më të fortë, jam përmirësuar, kam mësuar të humbas. Mënyra ime se si e përjetoj humbjen është e veçantë. Jam rikthyer më i fortë se më parë. Këtë vit kam garuar më mirë se në 2004-ën, kam gabuar vetëm një herë në Assen". Rosi shijon këtë titull dhe mendon për tjetrin: "Objektivat e ardhshëm? Për momentin, dua të qetësohem. Kemi dhënë shpirtin për këtë titull. Kam nevojë të rikarikohem për sfidat e ardhshme. Kundërshtarët do të jenë akoma më të karikuar dhe do të kërkojnë të më mundin".

Kejsi sportiv

Shumë komplimente sportive edhe nga Kejsi Stoner, rivali i madh, i cili ka hequr kurorën e kampionit: "Valentino u tregua i zoti, e meritoi titullin. Garuam mirë, e dinim që Vale do ta merrte numrin një. Vija nga rezultate jo të mira, dy rrëzime e një vend të katërt. Prandaj vendi i dytë është një rezultat i mirë për mua. Komplimente Valentinos, sepse sot ka bërë një garë shumë të bukur. Ndërsa për veten mund të them se më pret operimi pas fundit të sezonit".

Rekordet

Një ecuri shumë e mirë e Valentinos: 5 fitore radhazi (dhe 11 në total), por që ia ka bërë jetën komode, aq sa e ka mbyllur diskutimin për titull 5 gara para fundit. Kështu, ky botëror do të ketë një shije krejt të veçantë. Nisej si jo favorit me njëmijë e një dyshime. Ndërsa, pasi kaloi garat e para të vështira, ka pasur një rritje të madhe, që e ka çuar drejt rekordeve të reja.

SKEDA

Të dhënat biografike

Emri: Valentino Rosi

Lindur më: 16 shkurt 1979

Vendlindja: Italia

Gjatësia: 179 cm

Pesha: 59 kg

Të dhënat e karrierës

Disiplina: Motoçiklizëm

Kategoria: Kampionati botëror

Karriera

Debutimi: 1996 në 125cc

Tituj të fituar: 8

Gara të zhvilluara: 207

Gara të fituara: 96 nga të cilat 70 në 500/MotoGP

Pode: 147

Pole position: 52

Xhiro të shpejta: 76

Vitet e titujve: 5 titujt në MotoGP (2002, 2003, 2004, 2005, 2008), një në 500cc (2001), një në 250cc (1999) dhe një në 125cc (1997)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›