Shërbimi Social: “Fëmijët jetimë të tragjedisë do të sistemohen në jetimore”
SHSSH, ndihmë ekonomike për disa familje të prekura nga tragjedia. Masat që do të merren pas raportit që do të përgatisin grupet e punëS
Jonida Tashi
Fëmijët që kanë humbur prindërit nga tragjedia në Gërdec do të sistemohen në institucionet e shërbimeve sociale. Kjo është bërë e ditur dje nga drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror, Vilma Premti, e cila ka kërkuar evidentimin e menjëhershme të këtyre fëmijëve. Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH), pas shpërthimit që ndodhi tri ditë më parë në Gërdec të Vorës, ka kërkuar evidentimin e personave në nevojë dhe fëmijëve të mbetur jetimë. Për këtë qëllim, drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror, Vilma Premti, zhvilloi dje një takim me nënkryetarin e Bashkisë së Vorës, Aqif Muça, në të cilin diskutuan lidhur me identifikimin e familjeve në nevojë dhe fëmijëve jetimë.
Takimi
Gjatë këtij takimi Vilma Premti deklaroi: “Jemi të gatshëm që të angazhojmë të gjithë inspektorët e Shërbimit Social Shtetëror në zonën ku ndodhi shpërthimi dhe në dy shtëpitë e pushimit në Konvaleshencë në Durrës, me synim ofrimin e trajtimit psikologjik dhe social për personat në nevojë”. Në këtë kuadër drejtoresha e SHSSH-së kërkoi identifikimin e menjëhershëm të familjeve në nevojë me qëllim dhënien e ndihmës ekomomike. Sipas saj, evidentimi i shpejtë i fëmijëve të mbetur jetimë do të mundësojë sistemimin e tyre në institucionet e shërbimeve sociale.
Grupet e punës
Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH), në varësi të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, ka ngritur ekipe pune për t’u ofruar mbështetje dhe bashkëpunim të gjitha strukturave që po operojnë në ndihmë të komunitetit të Bashkisë së Vorës. Zëdhënësja e SHSSH-së, Rudina Xhuvani, pohoi se “aktualisht SHSSH ka ngritur tre grupe me specialistë, përmes të cilëve do të ofrojë mbështetje sociale për familjarët e vendosur në kampet e pushimit të Ministrisë së Brendshme dhe të Ministrisë së Mbrojtjes në Durrës. Sipas Xhuvanit, në bazë të të dhënave statistikore që do të jepen nga zyra e Ndihmës Ekonomike në Bashkinë e Vorës, do të ofrohet pagesa e Ndihmës Ekonomike për familjet e prekura nga tragjedia dhe fëmijët jetimë (ose të braktisur), të cilët do të sistemohen në institucionet publike dhe jopublike të përkujdesit shoqëror.
Procesi mësimor në zonën e Vorës, ende nuk ka afat për rifillimin
Pollo: “Trajtim post-traumatik për nxënësit e dëmtuar”
Ministri i Arsimit, Genc Pollo, ka sqaruar gjithçka për masat që po merr ministria që ai drejton për fillimin e procesit mësimor në zonën e Vorës. Genc Pollo, në një intervistë dhënë për mediat, detajon gjendjen fizike të shkollave dhe masat që po merren për rinisjen e programit mësimor në zonat e dëmtuara. Fshati Gërdec ka dhe shkollën më të dëmtuar në këtë zonë. Pikërisht për këtë fshat Pollo ka sqaruar se procesi mësimor aty do të fillojë pasi të realizohen meremetimet e nevojshme. Por, sipas tij, mësimi nuk do të mund të fillonte as nëse do ishte shkolla në rregull, pasi ajo është një zonë fatkeqësie, me predha të shpërndara në terren dhe banorët do të mund të kthehen në shtëpitë e tyre pasi të jepet leja nga autoritetet ushtarako-policore që po punojnë në zonë. Ndërsa në shkollat e tjera, të cilat u prekën nga shpërthimi dhe mësimi u pezullua që në momentin e parë (që nga dita e hënë nuk u bë mësim), Pollo bëri të ditur se mësimi në këto shkolla do të fillojë vetëm pas riparimeve. Për këtë ministri i Arsimit u shpreh: “Për 1-2 shkolla në zonë, kjo po realizohet këto ditë. Për të tjerat, që janë shumë të dëmtuara, nxënësit ende nuk mund të futen pa një ndërhyrje më të gjatë”.
Preventivi
Sot do të dalë preventivi final i përgatitur nga inxhinierët e strukturave arsimore bashkë me Shtabin e Emergjencës të bashkisë dhe komunave për të nxjerrë fondet përkatëse që nevojiten për rindërtimin e shkollave të dëmtuara. “Ne duhet të operojmë me shumë shpejtësi, në mënyrë që këto shkolla të kthehen në gjendjen e mëparshme dhe në mënyrë që mësimi të fillojë në kushte mëse normale”, - sqaroi Genc Pollo. Deri sa të realizohet kjo, MASH-i po shikon mundësitë që një numër i madh nxënësish, të cilët nuk mund të fillojnë këtë javë mësimin, të mund të strehohen edhe në shkollat e Tiranës, duke siguruar edhe transportin e nevojshëm. Lidhur realizimin e kësaj mundësie, Pollo bëri të ditur se ajo po shqyrtohet nga ministria dhe drejtoritë rajonale arsimore përkatëse dhe së shpejti do të merret një vendim për të minimizuar humbjet në orë mësimi që mund të kenë nxënësit në zonën e prekur nga fatkeqësia.
Trajtimi
Ndërkohë që për nevojat specifike të këtyre nxënësve, të cilët të shtunën ishin të pranishëm në këtë zonë dhe kanë qenë të ekspozuar gjatë shpërthimit dhe pasojave të tij, sapo të krijohen edhe kushtet normale në shkollë, do të ofrohet edhe një shërbim psikologjik i specializuar. Kështu, secili nxënës do të ketë një trajtim post-traumatik të nevojshëm për këtë situatë. Genc Pollo bëri të ditur se ndërhyrjet në shkolla nuk do të jenë të karakterit thelbësisht ndërtimor. Por ato kanë të bëjnë me vendosjen e xhamave, vetratave, portave dhe dyerve, të kasave të tyre, sepse shpërthimi këto struktura ka goditur. Struktura e mureve dhe e përgjithshme ndërtimore nuk është prekur. “Mendoj që me t’u përcaktuar dëmet, fondet pas fillimit të punës nga kompania ndërtuese, në Gërdec do të kemi shkolla në gjendje normale në një kohë relativisht të shpejtë”, - u shpreh më tej Pollo.
Statistikat sipas ministrit Pollo
“Në shkollën e Gërdecit kemi 200 nxënës, ndërkohë që në të gjitha shkollat e prekura kemi afro 3000 nxënës. Jo në të gjitha shkollat është ndërprerë mësimi. Aty ku ka qenë i mundur mësimi do të zhvillohet në kushte normale, duke parë situatën rast pas rasti. Lidhur me familjet e strehuara në Konvaleshencën e Policisë në Durrës Plepa janë afro 30 fëmijë, të cilët ndjekin mësimet në një shkollë 9-vjeçare dhe fëmijë më të vegjël, që janë sistemuar në një kopsht publik, të dy në qytetin e Durrësit”.
19 Mars 2008