Olli: “Kemi bërë vlerësimin e dëmeve në 346 banesa
Tiranë-grupet e Shtabit të Emergjencës në Bashkinë e Vorës kanë bërë vlerësimin nga afër të rreth 346 banesave të dëmtuara nga shpërthimi i fuqishëm para tri ditëve në fabrikën ku çmontoheshin municionet luftarake në fshatin Gërdec. Lajmin e konfirmoi drejtori i Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, Alfred Olli, i cili shtoi se Shtabi i Emergjencës po ndjek hap pas hapi edhe operacionin e kërkimit për personat që rezultojnë të humbur pas shpërthimit të depos së municioneve luftarake në Gërdec”. Olli tha se “në orët e para të mëngjesit të djeshëm rinisi edhe operacioni i kërkimit për personat që rezultojnë të humbur, ndërsa forcat e specializuara të ushtrisë vazhdojnë pastrimin e zonës nga predhat e shpërndara si rezultat i shpërthimit”. Sipas Ollit, forcat e ushtrisë kanë mbledhur dhe pastruar deri tani mbi 440 hektarë tokë në fshatin Gërdec dhe rrethinat e tij.
Malaj: “Qeveria të nxjerrë menjëherë kostot financiare të tragjedisë”
Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, i ka kërkuar qeverisë që në mënyrë urgjente të identifikojë kostot financiare të dëmeve të tragjedisë së Gërdecit. Pasi u ka shprehur ngushëllimet familjarëve dhe banorëve të kësaj zone, ai ka thënë se “qeveria duhet të reagojë menjëherë në mënyrë që të minimizojmë një varfëri ekstreme që mund të ketë kjo zonë”. Gjithashtu më tej Malaj ka thënë se ”qeveria duhet të paraqesë në një kohë sa më të afërt aktin normativ për të krijuar bazën ligjore të ndryshimeve të buxhetit, duke u dhënë familjarëve dhe biznesit fondet e destinuara për të lehtësuar pasojat ekonomike të kësaj krize”. Sipas tij, kjo bëhet e domosdoshme edhe nga reagimi i banorëve të kësaj zone, të cilët nuk u besojnë premtimeve të qeverisë.
Qeveria harton formularët e parë të dëmshpërblimit
Formularë të posaçëm janë shpërndarë dje mes banorëve të Vorës, ku do të pasqyrohen nga ana e tyre të gjitha dëmet e shkaktuara nga shpërthimi që ndodhi në afërsi të këtij qyteti. Mendohet që në këto formularë të renditen prej banorëve vlera e përafërt e të gjitha dëmeve materiale të shkaktuara në objekte apo shtëpi të ndryshme. Më pas këto formularë do të dorëzohen pranë bashkisë dhe më vonë pranë qeverisë, e cila në bashkëpunim me Ministrinë e Financave do të bëjë verifikimin e dëmit të shkaktuar dhe më pas vlerësimin monetar. Qeveria është mobilizuar për krijimin e një fature financiare për dëmet e shkaktuara. Duke konsideruar si prioritet procedimin e shpejtë të rimbursimit në vlerë financiare të dëmeve, mendohet që fillimisht të niset me dëmshpërblimin e dëmeve të lehta të objekteve apo shtëpive. Në këtë mënyrë, krahas formularëve që do të mbushen nga banorët e prekur, priten të bëhen vlerësime teknike dhe nga grupi i punës që është duke studiuar terrenin dhe objektet e prekura nga shpërthimi.
19 Mars 2008