Ministria e Shëndetësisë, banorëve të Vorës: “Mos konsumoni ujë pusi”
Banorët e zonës së Vorës nuk duhet të konsumojnë ujin e puseve, pasi është i pasigurt dhe me risk të lartë për shëndetin publik. Kjo është bërë e ditur dje nga Ministria e Shëndetësisë, pas monitorimit të cilësinë e ujit të pijshëm në Bashkinë e Vorës. Monitorimi i ujit të pijshëm në Bashkinë e Vorës (përgjatë ditëve 17 dhe 18 mars 2008) u krye përmes ekspertizës higjieno-sanitare në Ujësjellësin e Vorës. Nga informacionet e marra dhe ekspertiza higjieno-sanitare e kryer në këtë ujësjellës rezultoi se qyteti i Vorës me rreth 4 mijë banorë furnizohet me ujë të pijshëm nga Ujësjellësi i qytetit Vorë, me burime ujore ( pus-shpime) të vendosura në zonën Gjeç-Fushë në distancë rreth 4-5 km nga depoja. Sipas MSH-së, marrja e ujit të pijshëm nga këto zona i padezinfektuar mbetet një problem serioz për t’u zgjidhur. MSH-ja evidenton se pothuajse të gjithë banorët e qytetit, përveç furnizimit me ujë nga Ujësjellësi, kishin të hapura puse individuale. Nga inspektimi u vërejt se puset ishin jashtë kushteve higjieno-sanitare, me mbulesë jo të rregullt dhe afër burimeve ndotëse. Struktura të MSH-së kanë rekomanduar që niveli i klorit rezidual në rrjetin ujësjellës të mbahen në vlerat 1 mg/l.
Ministria e Shëndetësisë: “Cilësia e ajrit në Vorë, brenda normave të lejuara”
Cilësia e ajrit në Vorë është brenda parametrave të lejuar. Në këtë përfundim ka dalë Ministria e Shëndetësisë pas monitorimeve të ajrit në këtë zonë. “Rezultatet e deritanishme të cilësisë së ajrit në zonën e fshatit të Gërdecit flasin për gjendje brenda normave të lejuara në vendin tonë”,- deklaroi dje Ministria e Shëndetësisë. Sipas kësaj ministrie, mostrat në lidhje me cilësinë e ajrit të marra nga specialistë të Institutit të Shëndetit Publik janë siguruar të martën në zonën e Gërdecit në distancë afërsisht 100 metra prej zonës së fshatit në jug të saj.
Mostrat e ajrit që u morën për analiza të indekseve janë: PM–10 ( grimca të respirueshme), SO2, CO, NO2. Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, rezultatet e deritanishme për cilësinë e ajrit flasin për gjendje brenda normave të lejuara në vendin tonë.
19 Mars 2008