E Shtunë, 31 Tetor 2026

ALUIZNI angazhohet të ndihmojë në përllogaritjen e dëmeve

ALUIZNI ka organizuar 40 grupe pune me 200 specialistë, të cilët që nga dita e hënë kanë nisur verifikimin në terren të të gjitha ndërtimeve dhe objekteve të dëmtuara në zonën e Gërdecit. Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Shaban Memia, ka bërë të ditur se grupet e punës në zonën e Gërdecit dhe në fshatrat përreth po bëjnë vlerësimet në bazë të programit 3-dimensional që disponon agjencia për çdo sipërfaqe ndërtimi në çdo banesë dhe objekt tjetër. "Vetëm dje specialistët tanë kanë kontrolluar 400 ndërtesa dhe sot specialistët e agjencisë do të përfundojnë azhornimin në 1500 objekte, si banesa, apo biznese, për të parë në vend dhe për të llogaritur çdo dëmtim të shkaktuar nga shpërthimi i municionit", - ka deklaruar kreu i ALUIZNI-t, Memia. Grupet e punës po përcaktojnë pas kontrolleve individuale në çdo ndërtesë volumet financiare dhe ndërtuese të nevojshme për të kryer përllogaritjet paraprake. “I rëndësishëm është identifikimi i të gjitha objekteve të dëmtuara si dhe atyre të padëmtuara (rreth 4500) në Bashkinë e Vorës, përfshirë dhe ato të bizneseve për të realizuar sa më saktë përllogaritjet e dëmtimeve", - tha Memia. Dje u ngrit edhe një grup tjetër pune i përbashkët me përfaqësues të disa institucioneve pranë Entit Kombëtar të Banesave, i cili pritet të kryejë përpunimin individual dhe tërësor të banesave të dëmtuara. "Qëllimi i këtij grupi është dalja e një shifre konkrete e përllogaritur sa më saktë për dëmin financiar të shkaktuar nga shpërthimi", - tha Memia. Gjithashtu, ai shtoi se, "një pjesë e bizneseve të siguruara në shoqëritë private të sigurimeve, kanë nisur të kryejnë procedurat për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara para pak ditësh".

19 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›