"Muaj Mjalti" çel TIFF-in
"Muaj Mjalti", premiera shqiptare e bashkëprodhimit shqiptaro-serb do të çelë sot, ora 19.00, në Teatrin Kombëtar, edicionin e shtatë të Tirana International Film Festival. Në një konferencë për shtyp që do të mbahet sot paradite, organizatorët do të bëjnë të ditur të gjitha detajet. Për 10 ditë, deri më 6 dhjetor, në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar projektohen për publikun rreth 15 filma me metrazh të gjatë, kurse në skenën e vogël rreth 100 filma me metrazh të shkurtër, të cilët do të ndiqen falas nga publiku. Një nga të ftuarit e veçantë të këtij edicioni është regjisori i njohur grek Teos Angjelopulos, fituesi i Palmës së Artë në Festivalin e Kanës (Përjetësi e një ditë, 1998). Sipas organizatorëve ai do të jetë i ftuar mbrëmjen e mbylljes së festivalit. Sipas Ilir Butkës, drejtori i këtij aktiviteti, një ndër risitë që do të ofrojë edicioni i shtatë i TIFF është shfaqja e filmave të gjatë në programin e këtij festivali që deri më tani i është kushtuar posaçërisht prodhimeve me metrazh të shkurtër. Filmat përshëndetës të festivalit janë përzgjedhur "Akadimia Platonos" e regjisorit Filippos Tsitos‘s, dhe dy filma "La perla" dhe "The severage innocents" të pashfaqur më parë, të marra nga Arkivi Qendror i Filmit. Ndërsa kinemaja kineze e viteve ‘70 prezantohet me filmat "Nga fitorja në fitore", "Kalim në lumin Jance" etj.