E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhelal Gjeçovi: Lufta nuk duhet ngatërruar me diktaturën

Një simpozium shkencor, nga ata standardët për raste përvjetorësh, është organizuar dje në Akademinë e Shkencave në kuadrin e 65-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë. Konferenca mbante titullin "Shqipëria në Luftën e Dytë Botërore" dhe organizohej në bashkëpunim me Institutin e Historisë dhe Qendrës së Studimeve Albanologjike. Historianë të periudhës, me referate të shkruara kanë mbajtur njëri pas tjetrit fjalime duke u ndalur në Shqipërinë e kësaj kohe, roli e luftës, rolin dhe marrëdhëniet me aleatët, trajtimin e kësaj periudhe në histori. Nuk ishte një nga ato takimet ku debatohet mbi argumente shkencore e këtej gjenerojnë tryeza të tjera. Historiani Xhelal Gjeçovi duke folur mbi rolin e Luftës Nacionalçlirimtare dhe pasqyrimin e saj në histori para viteve ‘90-të e pas, u shpreh se debati është i domosdoshëm në shkencat historike, por ai duhet vendosur në shinat e duhura.

Zoti Gjeçovi, a ka aspekte që mbeten ende të debatueshme përsa i përket trajtimit historik të periudhës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare?

Në shkencë asnjë gjë nuk është e prerë, veçanërisht në shkencën historike që e ka në thelbin e vet debatin, ashtu siç ka njeriu ajrin. Nuk mund të arrihen synimet që ka historiografia nëse të vërtetat nuk konsiderohen relative e të plotësohen gradualisht. Mjafton që të jetë synimi i qartë që gjërat të saktësohen dhe dokumentohen. Nuk duhen ngritur teza mbi paragjykime për të hedhur poshtë luftën. Ajo është një nga fazat nga më të ndritura të historisë tonë kombëtare, që nga rezultatet, pjesëmarrja e saj dhe faktit që me këtë luftë ne rifituam pavarësinë kombëtare, u rreshtuam me aleatët, fituam një kapital të madh politik me të cilin përballuam intrigat e të këqijve, hodhëm poshtë planin e tyre për copëtimin e Shqipërisë pas lufte.

Shumë zëra e lidhin luftën me atë që erdhi pas saj, regjimin komunist...

Nganjëherë këtu ngatërrohen çështjet dhe kërkohen të zbehen vlerat e luftës, duke theksuar se pas saj erdhi regjimi komunist njëpartiak. Lufta ishte një detyrë historike që u realizua me sukses të plotë. Ajo çka ndodhi pas luftës i takon një periudhe tjetër, me të tjerë faktorë politikë dhe që kërkon analiza të qeta. Zhvillimet pas luftës kanë qenë kontradiktore, me anët pozitive dhe negative, si çdo proces historik. Sigurisht që ato nuk e zbehin luftën dhe vlerat e saj.

Ende vazhdon të diskutohet data e Çlirimit të Shqipërisë mes 28 dhe 29 nëntorit. Për ju si historian cila është data historike?

Për mua është e sqaruar që Çlirimi i Shqipërisë është arritur më 29 nëntor. Nuk ka asgjë të keqe nëse ka debate. Në shkencë asgjë nuk mund t‘i shpëtojë debatit. Unë kam argumentet e mia, por është krejt normale nëse të tjerët kundërshtojnë. Vetëm në diktaturë idetë rrafshohen. Për të gjykuar për datën e Çlirimit duhen pyetur dy palë: forcat partizane dhe hitleriane. Rreth 98% e partizanëve që kanë çliruar Shkodrën pohojnë se kanë hyrë në Shkodër mëngjesin e 29 nëntorit. Ndërsa forcat hitleriane, në dokumentet dhe ditarët e tyre, në dokumentacionin që i është dorëzuar Ministrisë tonë të Brendshme, thonë se urdhri për evakuimin e forcave nga Shqipëria që në tetor është realizuar dhe më 29 nëntor kanë lënë Shkodrën. Gjithsesi, unë respektoj çdo vendim dhe i lexoj me vëmendje pavarësisht se nuk jam dakord me to.

ol.li

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›