Muaj më të qetë në Mitrovicë
Situata e përgjithshme e sigurisë në këtë komunë gjatë dy javëve të fundit ka qenë më e qeta në 15 muajt e fundit, u tha në Komitetin për Siguri të Kuvendit të Komunës, që u mbajt të hënën në Mitrovicë.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala tha se gjatë periodës së fundit dyjavore nuk ka pasur ndonjë incident që do të reflektohej në situatën e përgjithshme. Sipas tij, protestat që gjatë kësaj kohe janë organizuar në komunën e Zubin Potokut kundër pranisë së policisë së trafikut dhe Njësitit Special të Policisë së Kosovës atje, nuk kanë ndikuar në situatën e sigurisë në Komunën e Mitrovicës.
“Këto protesta të pa arsyeshme kanë për qëllim pengimin e policisë në atë pjesë të Kosovës, në mënyrë që keqbërësit t’i vazhdojnë të papenguar veprimet e tyre kriminale dhe kontrabandën e mallrave, nga të cilat ata përfitojnë shumë”, ka thënë Bala.
Ai përmendi shqetësimin e qytetarëve jo serbë në lagjet veriore për shkak të përdorimit të targave të automjeteve që i lëshon Serbia brenda Republikës së Kosovës dhe shqetësimin e qytetarëve të tjerë të komunave të rajonit, për shkak të mosfunksionimit normal të organeve të gjyqësisë në Mitrovicë.
Për gjendje të qetë e pa probleme serioze të sigurisë në komunë, foli edhe komandanti i stacionit jugor të policisë në Mitrovicë, Avni Zabeli.
Ai tha se policia ka qenë e angazhuar maksimalisht gjatë dy javëve të fundit për realizimin e planeve operative të policisë për luftimin e krimit të organizuar dhe kontrabandës.
Sipas tij, gjatë kësaj periode kohor veprat kriminale kundër pronës dhe pasurisë kanë shënuar rënie për 40 për qind, ndërkohë që numri i rasteve të veprave penale të kontrabandës është shtuar. (Kosovapress)