E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Muaji i Mjaltit” ka mbaruar

28/01/2005  

Një konferencë shumë e sikletshme për shtyp vë në dukje sfidat për Bushin. Plus, shitja e sigurimeve shoqërore

Fjalimi inaugurues, humbja e jetëve në Irak, plani i tij për të rindërtuar Sigurimet Shoqërore dhe konfirmimi i Condoleezza Rice. Këto sfida nuk pasqyrojnë saktësisht llojin e kapitalit politik që Shtëpia e Bardhë mendoi se fitoi në zgjedhjet presidenciale të nëntorit

Me dy miq personalë, që gjenden përballë një zjarri të vazhdueshëm, Presidenti Bush ka zbuluar një kthesë të re në politikën presidenciale: që muaji i tij i mjaltit mori fund përpara se medaljet inauguruese të hiqeshin përgjatë Pennsylvania Avenue.

Nuk ka kaluar as edhe një javë nga fjalimi i tij i guximshëm dhe i spikatur i inaugurimit. Dhe duhet edhe një javë përpara një tjetër ngjarjeje të rëndësishme: Mesazhi i State of the Union. Megjithatë, ndërmjet këtyre dy momenteve në majë të podiumit, Presidenti Bush ndjeu një nevojë urgjente për të bërë diçka, e cila nuk i pëlqen aspak zakonisht: një konferencë për shtyp. Për një President, që nuk ka aspak qejf të pranojë gabimet, në konferencën e tij për shtyp, Presidenti shkoi aq pranë sa mundet rrëfimit se javët e para të vitit që sapo ka hyrë nuk kanë shkuar plotësisht sipas planit.

Hidhini një sy temave, me të cilat u mor Presidenti në fjalët e para. Katër fushat kryesore që përbëjnë shqetësim për të, u përballën të gjitha me sfida shumë të vështira në ditët e para të mandatit të tij të ri: Fjalimi inaugurues, humbja e jetëve në Irak, plani i tij për të rindërtuar Sigurimet Shoqërore dhe konfirmimi i Condoleezza Rice. Këto sfida nuk pasqyrojnë saktësisht llojin e kapitalit politik që Shtëpia e Bardhë mendoi se fitoi në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Së pari, fjalimi inaugurues. Ideja e parashtruar nga Presidenti që tërhoqi më shumë vëmendje – dhe që me siguri tërhoqi vëmendjen e aleatëve dhe armiqve nëpër botë – ishte ky deklarim: “Mbijetesa e lirisë në tokën tonë varet gjithnjë e më shumë nga suksesi i lirisë në toka të tjera. Shpresa më e madhe për paqe në botën tonë është përhapja e lirisë në të gjithë botën. Interesat jetësore të Amerikës dhe besimet tona më të thella janë tashmë NJE”.

Përshtypja e urgjencës ishte e qartë. Vetë mbijetesa e Amerikës varet gjithnjë e më shumë nga liria përreth botës. Nuk ishte një ideal i largët. Ishte i menjëhershëm. Në fund të fundit, shpjegoi Presidenti, parimet dhe interesat jetësorë të Amerikës për politikën e jashtme ishin tani NJE.

Por në konferencën për shtyp, u duk qartë se ato interesa jetësorë ishin më tepër një “qëllim afatgjatë” që do të kërkonte “përkushtimin e disa brezave”. Në vend që të prezantonte një drejtim të ri për politikën e tij të jashtme, Presidenti tha se detyra e dhënies fund të tiranisë i përkiste të ardhmes dhe ishte diçka që tashmë ka filluar. “Ajo reflekton politikën e së kaluarës, por edhe cakton një qëllim të ri të guximshëm për të ardhmen”, tha Presidenti. “Dhe unë besoj se ky vend është në maksimumin e tij kur orientohet nga një botë ideale”.

Për Irakun, ku kjo politikë e jashtme po testohen në limitet e saj, Presidenti lëshoi një mesazh të trishtë për familjet që kanë humbur të dashurit e zemrës në forcat ushtarake. Kur iu kërkua të komentojë në lidhje me rrëzimin e helikopterit në Irak, që shkaktoi 31 marinsa të vdekur – humbja më e madhe për trupat amerikane në Irak – Presidenti Bush u bëri thirrje amerikanëve të qëndrojnë fort: “Lajmi i sotëm do të jetë shumë dekurajues për popullin amerikan. Unë e kuptoj këtë. Por objektivi afatgjatë është shumë jetësor, domethënë përhapja e lirisë”.

Kjo nuk është detyrë e lehtë për një president që e di se opinioni publik është shumë i paqëndrueshëm në lidhje me sipërmarrjen më të madhe të presidencës së tij. Sipas një sondazhi të kohëve të fundit të Uashignton Post, 70 për qind besojnë se ka patur një numër të papranueshëm viktimash në Irak dhe 57 për qind thonë se nuk ia vlen të luftohet kjo luftë.

Megjithatë, amerikanët ndihen të mëdyshur në lidhje me Irakun. Në të njëjtin sondazh, 50 për qind thonë se lufta ka kontribuar për sigurinë afatgjatë të Amerikës dhe 58 për qind thonë se trupat duhet të qëndrojnë në Irak derisa atje të jetë rivendosur rendi civil – edhe nëse shkaktohen më shumë viktima.

A e shqetëson Presidentin ndonjëra nga këto? Duke gjykuar nga stili dhe toni i tij në konferencën për shtyp, do të duhej të thoje JO. Ai ishte po aq i relaksuar dhe me vetëbesim sa ka qenë gjithmonë në këto seanca të zgjeruara pyetje-përgjigjesh me median.

Megjithatë, duke patur parasysh thelbin e asaj që tha, pati shenja të pazakonshme telashesh. Përse e ndjeu Presidenti të domosdoshme të bënte lobing për konfirmimin e Condi Rice dhe Alberto Gonzales, vetëm pak orë përpara se Senati të votonte në favor të kandidaturave të tij? “Dr.Rice është një shërbyese e nderuar që duhet konfirmuar”, tha ai. Megjithatë, këto manovra mbrojtjeje në publik të Presidentit tregojnë më shumë rënie vetëbesimi sesa kufizim dëmi.

Me dy miq personalë, që gjenden përballë një zjarri të vazhdueshëm, Presidenti Bush ka zbuluar një kthesë të re në politikën presidenciale: që muaji i tij i mjaltit mori fund përpara se medaljet inauguruese të hiqeshin përgjatë Pennsylvania Avenue.

Nuk është vetëm bota e jashtme që po ndërlikon axhendën e Presidentit për mandatin e dytë. Brenda Shtëpisë së Bardhë, zyra e çështjeve ligjore, që bën lobingje me anëtarët e Kongresit, po përballet me përmbysje të mëdha, teksa Presidenti përgatitet të ndjekë axhendën e tij mbicioze. Të premten e kaluar, Daniel Keniry, lobisti më i madh i Presidentit, dha dorëheqjen, duke u bërë i treti bashkëpunëtor i lartë ligjor që dorëhiqet që nga nëntori.

Në të njëjtën kohë, Presidenti është kthyer në një lloj lobisti të vetvetes gjatë javëve të fundit, duke mbajtur shumë takime private me anëtarë të Kongresit, me qëllim shitjen e ideve të tij për Sigurimet Shoqërore dhe reformat. Në të vërtetë, pas konferencës së të mërkurës për shtyp, Presidenti kishte planifikuar një takim me anëtarë të Komisionit të Transporteve në Kongres, përfshirë kryetarin republikan, Bil Tomas, i cili kohët e fundit e ka përshkruar si “kalë të ngordhur” planin e Sigurimeve Shoqërore të paraqitur nga Shtëpia e Bardhë.

Ditët e fundit, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë qenë shumë të kujdesshëm të mos e kritikojnë Tomasin, as edhe për të kaluarën e tij – një vendim që tregon se sa shumë i nevojitet Tomasi Presidentit Bush në ekipin e tij. Kur u pyet në lidhje me komentet e Tomasit, gjatë konferencës për shtyp, Presidenti thjesht buzëqeshi dhe shtoi: “Eshtë diçka konstruktive që kryetari Tomas... mendon në mënyrë krijuese, është i gatshëm të gjejë mënyra për të bashkuar njerëzit... unë e vlerësoj shumë”.

Këto lloj dorezash nuk janë vetëm për Tomasin. Të premten, Presidenti Bush ka në plan të takohet me anëtarë republikanë të Kongresit dhe Senatit në Greenbrier, West Virginia, në takimin e përvitshëm të partisë. Fjalimi që do të mbajë është hartuar nga bashkëpunëtorët e Shtëpisë së Bardhë si një lloj drafti për fjalimin e State of the Union javën e ardhshme dhe në të do të paraqiten në detaje objektivat që Presidenti shpreson të përmbushë në muajt e ardhshëm. Por shfaqja e tij do të shërbejë patjetër edhe për të zbutur tensionet mbarëpartiake në lidhje me axhendën e brendshme. Shumë ligjvënës republikanë duhet të binden se për shtimin e llogarive private te Sigurimet Shoqërore ia vlen të rrezikohet politikisht.

Jehona e komenteve nga aleatë të tillë si Dhoma Amerikane e Tregtisë, apo disa ligjvënës anëtarë të Partisë Republikane, e kanë detyruar Bushin të shpenzojë kapitalin e tij politik në beteja, ku ka më shumë shanse për të fituar, si për shembull reforma mjekësore dhe përjetësimi i shkurtimit të taksave. “Do të konsumohemi kaq shumë me Sigurimet Shoqërore, saqë unë shqetësohem për çështjet e tjera në axhendë”, thotë Tom Tankrendo, një republikan nga Kolorado. “Nuk jam i sigurtë nëse popullariteti i Presidentit, kapitali i tij politik, do të jenë të mjaftueshëm për të arritur gjithë sa ai dëshiron të arrijë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›