Muaji i pare i pavaresise
Zijadin Gashi*
Qeveria dhe opozita ne Prishtine ndajne mendime te ndryshme, lidhur me funksionimin e Kosoves si shtet, ne muajin e pare te pavaresise se saj. Ndersa qeveria e vlereson te suksesshem muajin e pare dhe kalimin neper sfidat qe ka sjelle shpallja, njohja dhe gjendja e pergjithshme e sigurise, opozita konsideron se qeveria po merret vetem me simbolika dhe i ka lene anash ceshtjet qe preokupojne qytetaret ne jeten e tyre te perditshme.
Kosova e ka kaluar me sukses muajin e pare te pavaresise se saj, duke u pergatitur qe te kaloje tani ne fazen e funksionimit me kapacitete te plota, thone ne Qeverine e Kosoves.
Nderkohe, opozita kritikon qeverine se ende po merret me simbolika dhe me efektet politike te shpalljes se pavaresise, por nuk po tregohet e afte qe te funksionoje ne shtetin e pavarur te Kosoves.
Nderkaq, si vleresim i perbashket eshte se pjesa veriore ka qene dhe mbetet sfide e vazhdueshme per Kosoven.
Zevendeskryeministri Hajredin Kuci thote se pas shpalljes se pavaresise, sfida e pare u perballua me sukses, dhe ajo eshte njohja nderkombetare ne njeren ane dhe ruajtja e paqes dhe e sigurise se brendshme ne anen tjeter.
"Qeveria e Kosoves konsideron se muaji i pare i pavaresimit te Kosoves ka qene i suksesshem, ne kuptimin e asaj qe Republika e Kosoves ka gezuar mbeshtetjen nderkombetare nga shtetet me me ndikim ne bote. Ne kemi nje mbeshtetje edhe te njohjes, edhe te vendosjes se marredhenieve diplomatike me shtetet me me ndikim ne kuptimin ekonomik, politik dhe te sigurise ne bote, por edhe me shtetet qe mundesojne zhvillimin edhe te demokracise dhe liberalizmit ne teresi", thote Kuci.
Por, per dallim nga zevendeskryeministri Hajredin Kuci, opozita vlereson se qeveria po ecen shume ngadale ne ceshtjet e tjera, qe kane te bejne me funksionimin e Kosoves si shtet. Ardian Gjini, shef i Grupit parlamentar te AAK-se, thote se qeveria po merret vetem me simbolika, duke u treguar e paafte qe te perballet edhe me ceshtjet e ndjeshme.
"Mendoj se ne Kosove po vazhdon jeta ashtu si ka qene edhe para shpalljes se pavaresise. Sfidat, si po shohim, jane kryesisht ne veri te Kosoves, per mos t'i permendur sfidat e vazhdueshme, qe jane mungesa e energjise elektrike, papunesia etj. Detyrat qe i kemi pasur para vetes, i kemi kaluar, kurse sa i perket qeverisjes, mendoj se shume pak po ndodh, per te mos thene asgje", thekson Gjini.
Nga shpallja e pavaresise deri te fuqizimi i Kushtetutes dhe ligjeve qe mundesojne funksionimin e Kosoves si shtet, pakoja e Ahtisarit parasheh kalimin e kater muajve te tranzicionit. Ndonese per shkak te mbetjes ne fuqi te Rezolutes 1244, tranzicioni nuk eshte sqaruar deri ne fund dhe askush ne Prishtine nuk mund ta thote me siguri se UNMIK-u do te largohet apo mbetet edhe pas qershorit ne Kosove dhe ne cfare perberjeje qeveria pret qe te mos kete pengesa ne funksionimin e saj.
Gjate kesaj periudhe, zevendeskryeministri Kuci thote se, pervec pergatitjes se anes ligjore e kushtetuese, po behen edhe pergatitjet per formimin e ministrive te reja dhe ndertimin e kapaciteteve humane. Nderkaq, ne aspektin e sigurise, Kuci, ndonese i sheh si nje sfide me vete reagimet e komunitetit serb dhe gjendjen e vazhdueshme jo te qete ne veri te Kosoves, konsideron se gjendja eshte e perballueshme dhe nen kontroll te plote te autoriteteve nderkombetare dhe atyre vendore. "Ka tensione te theksuara, ndoshta ne ndonje pjese te Kosoves, por ato nuk e lendojne funksionimin e plote te shtetit te Kosoves. Cdo dite, Qeveria e Kosoves, ne bashkepunim te plote me bashkesine nderkombetare, po merr hapat e domosdoshem per ta qeverisur ne kuptimin e plote tere territorin e saj", thote Kuci.
Nderkohe, Ardian Gjini thote se, pavaresisht qe Kosova, sipas tij, ka nje qeveri jo efikase, ajo, megjithate, nuk do te deshtoje dhe do te ece perpara. Por, ai terheq verejtjen se kapacitetet e reja, qe parashihet te ndertohen, qofte ne politiken e jashtme apo ate te mbrojtjes, ndonese e kane rendesine e vet, nuk do t'i zbusin krizat sociale dhe as ato energjetike, si dhe ceshtje tjera qe preokupojne qytetaret e Kosoves. "Ceshtja e energjise, ceshtja e zhvillimit ekonomik, ceshtja e arsimit jane esenciale dhe aty eshte veshtire te gjendet simbolika, por duhet te merren me ceshtje te veshtira. Te gjithe e dime se jane te veshtira, por te pakten duhet te fillohet te punohet ne keto drejtime", vlereson Gjini.
Ndersa qeveria dhe opozita ndajne mendime te ndryshme lidhur me punet dhe angazhimet qe po behen per funksionimin dhe funksionalitetin e shtetit te Kosoves, ne anen tjeter, paralajmerohet qe se shpejti, ne Bruksel, te organizohet nje konference donatoresh per Kosoven. Qeveritaret kosovare e parashohin ate si momentin me te mire per te perfituar mbeshtetje financiare per projektet qe, sipas tyre, do te ndihmojne ne fillimin e rimekembjes ekonomike te Kosoves, perderisa opozita e sheh edhe kete konference si nje zhvillim qe nuk do t'i sjelle aq shume perfitime Kosoves, si parasheh qeveria.