Ambasadori: “Selmanllari nuk ishte shoferi im personal”
TIRANË- Ambasadori i Shqipërisë në Romë, Llesh Kola, tregoi gjatë komunikimit për mediat detaje të arrestimit të shoferit të kësaj ambasade, Arsen Selmanllari, me një kilogram kokainë në makinën me targa diplomatike. Sipas ambasadorit Kola, arrestimi i shoferit Selmanllari, që punonte prej një viti në përfaqësinë diplomatike shqiptare në Romë, e dëmton imazhin e shtetit shqiptar. Kola pretendon se ka qenë Ambasada dhe qeveria shqiptare që kanë lejuar policinë italiane të kontrollojë makinën diplomatike, pasi kishte informacion se aty transportohej lëndë narkotike. “Arrestimi i tij, absolutisht e ka dëmtuar imazhin e Ambasadës Shqiptare në Romë, pasi ky është një veprim kriminal që ia kemi lënë drejtësisë në dorë për ta zbardhur”, - tha ambasadori Kola. Gjithashtu, në komunikimin disa minutash, diplomati shqiptar pohoi se Selmanllari njihej si djalë punëtor dhe i paproceduar penalisht më parë. “Tashmë ia kemi lënë në dorë drejtësisë italiane, për zbardhjen e pozicionit dhe veprimtarisë që kryente Selmanllari këtu në Itali”, - tha Kola.
27 Gusht 2008