E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjarja, në makinën me targa diplomatike u kap 1 kg drogë



MILANO- Shoferi i Ambasadës Shqiptare në Romë, Arsen Selmanllari, u kap me një kg kokainë të fshehur në kroskotin e makinës me targa diplomatike. Sipas burimeve zyrtare të Antimafies rajonale në qytetin e Milanos, shqiptari Selmanllari, edhe pse ishte me dokumente dhe makinë me targa diplomatike, u kontrollua nga policia italiane pasi kishte informacione dhe dyshime të sigurta se ai po transportonte drogë për llogari të një rrjeti trafikantësh. Bashkë me shoferin e Ambasadës është arrestuar edhe një femër, që mendohet se është e dashura e Selmanllarit. “Arrestimet e dy shtetasve shqiptarë janë kryer gjatë një kontrolli policor në autostradë, në dalje të Milanos. Policia i është afruar çiftit shumë qetësisht, pasi kishin parkuar në një vend të gabuar, por pyetjeve të tyre shoferi i është përgjigjur në mënyrë nervoze. Pas këtij reagimi, policia ka kërkuar që Selmanllari të hapte kroskotin e makinës, ku pas një kontrolli të vogël aty u gjet droga e paketuar në dy pako 500 gramshe, që mendohet se është kokainë”, - deklaruan burimet e policisë së Milanos. Gjithashtu, mësohet se kontrolli ndaj makinës me targa diplomatike nuk është bërë deri në momentin që policia italiane ka marrë dritën jeshile nga Ambasada Shqiptare në Romë. Kontroll ky që ka çuar në gjetjen e një çante sportive brenda së cilës ishte kokaina. “Gjatë ndalimit dhe lejes për t’i kontrolluar në makinë, shoferi Arsen Selmanllari ka replikuar me oficerët e policisë duke u treguar atyre dokumentin e lëshuar nga Ministria e Jashtme Italiane, që e ndalon policinë të kontrollojë personat me imunitet diplomatik.

27 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›