I arrestuari në gjykatë: “Nuk dija gjë për drogën në makinë”
Gjykata e Milanos vendosi dy ditë më parë masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-shoferin e Ambasadës Shqiptare në Romë, Arsen Selmanllarin. Sipas agjencive italiane të lajmeve, Selmanllari, 33 vjeç, dy ditë më parë doli bashkë me të dashurën e tij, një rumune 34-vjeçare para gjyqtarit hetimor të Gjykatës së Milanos, ku ka mohuar që kishte dijeni për sasinë e drogës që ndodhej në kroskotin e makinës së tij me targa diplomatike.
Gjatë dëshmisë së tij Selmanllari ka kërkuar nga gjyqtari që e fejuara e tij, emri i së cilës nuk bëhet i ditur, por që thuhej se punonte në një bar në Romë, të lihet e lirë, pasi edhe ajo nuk kishte asnjë dijeni për atë që mund të ndodhej në makinën të cilën ai e drejtonte. Por gjyqtari hetimor, përkundër pretendimeve të “çiftit diplomatik” ka vendosur të pranojë kërkesën e drejtorit të Antimafies rajonale të Milanos, që të dy të rinjtë të qëndrojnë në qeli me masën e sigurisë “arrest me burg”.
27 Gusht 2008