E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i kokainës, në hetim Ambasada dhe konsullatat shqiptare në Itali

Mediat italiane: “Shoferi i ambasadorit shqiptar, korrier droge” .“Burg pa afat” për shoferin e Ambasadës Shqiptare në Romë

Luan Kondi, Ervin Koçi

Mediat italiane bum artikujsh për skandalin e shoferit të diplomatit shqiptar, teksa ai u kap nga policia me 1 kilogram kokainë të pastër. Mediat kanë cituar policinë e shtetit fqinj, ku bëhet e ditur se “diplomati shqiptar survejohej prej muajsh nga policia, pasi kishte dyshime se ai ishte korrieri i kamufluar i një rrjeti ndërkombëtar droge”. Këtë fakt e kanë cituar disa prej gazetave kryesore italiane, që e kanë pasqyruar dy ditë me radhë ngjarjen, duke shtuar edhe se “hetimet e policisë për këto lidhje do të vijojnë më tej, ku nuk përjashtohet fakti që të merren në hetim Ambasada Shqiptare në Romë dhe konsullatat e saj si ajo në Milano, bashkë me diplomatët e tjerë”.
Skandali
Mediat kryesore italiane i kanë kushtuar një vëmendje jo të vogël çështjes së kapjes në flagrancë me 1 kg kokainë në makinën e tij, të shoferit të ambasadorit shqiptar në Romë. “Skandal në makinën e kryediplomatit shqiptar”, “Shoferi i ambasadorit shqiptar, korrier droge”, “Blici në Milano, ndalohet diplomati shqiptar me 1 kg kokainë në makinë” etj., ishin disa nga titujt që hapnin dje të përditshmet kryesore italiane lidhur mbi ngjarjen e ndodhur në Milano, ku mbeti i përfshirë shoferi i ambasadorit shqiptar në Romë. Mediat italiane ishin marrë edhe me detaje të tjera të kësaj ngjarjeje të bujshme. Ato përshkruanin masën e dënimit të dhënë nga një gjykatë italiane në Milano ndaj shoferit të Ambasadës Shqiptare në Itali, i arrestuar një ditë më parë nga Guardia di Finanzia pasi u kap me drogë në makinën e tij me targa diplomatike.
Masa e sigurisë
Sipas “ANSA”-s, “Burg pa afat” është masa që është dhënë nga gjykata për shoferin e Ambasadës Shqiptare në Romë, Arsen Selmanllari. Më tej ajo vazhdonte, “kjo është masa e dënimit të dhënë nga Gjykata në Milano ndaj shoferit të Ambasadës Shqiptare në Itali, i arrestuar një ditë më parë nga forcat e Guardia di Finanzia-s së Milanos pasi u kap me drogë në makinën e tij me targa diplomatike”. Ndërsa “La Republica” theksonte faktin që, “shoferi i kryediplomatit shqiptar, Selmanllari, 33 vjeç, ka dalë bashkë me të dashurën e tij shqiptare 34-vjeçare para një gjyqtari në Milano, ku ai ka mohuar se kishte dijeni për sasinë prej 1 kilogrami kokaine në makinën e tij. Seanca e parë gjyqësore ndaj Selmanllarit dhe të dashurës së tij është caktuar për në 2 shtator”. Sipas “La Republica”, “gjykatësi vendosi që të dy të pandehurit e kapur në flagrancë, të qëndrojnë në burg deri në seancën gjyqësore të radhës. Ndërkohë që para gjyqtarit të Milanos, Selmanllari ka kërkuar që e fejuara e tij, e cila punonte në një bar në Romë, të lihej e lirë pasi nuk kishte asnjë dijeni për atë që mund të ndodhej në makinë”. Arrestimi i Selmanllarit u bë një ditë më parë në një autostradë në të dalë të Milanos, gjatë një blici të forcave speciale të Karabinierisë dhe Guardia di Finanzia-s së Milanos, pas një telefonate informuese për këtë fakt. Në kontrollin që bëri në makinë, policia gjeti 1 kg kokainë. Nga hetimet e policisë italiane dhe nga të dhënat e Ambasadës Shqiptare në Romë, mësohet se Selmanllari, në ditën e arrestimit e kishte marrë makinën pa informuar personelin e Ambasadës.

27 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›