Topalli në Pukë: “Më shumë investime në bujqësi”
Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, ka vijuar fushatën e takimeve derë më derë në lagjet e qytetit të Pukës, duke shkuar dyqan më dyqan e shtëpi më shtëpi. Në bisedat me studentë, gra, pensionistë, drejtues të biznesit të vogël e të madh, zonja Jozefina Topalli tha se në katër vitet e ardhshme do të rriten investimet në infrastrukturë, më shumë investime do të ketë në bujqësi e më shumë mundësi punësimi do të kenë të rinjtë e Pukës. Ajo theksoi se rrugët e të gjitha fshatrave do të lidhen me komunat, do të rritet granti për fshatin e do të investohet në sistemin e ujitjes. Pensionet e fshatit do të barazohen me pensionet e qytetit si dhe do të rritet asistenca sociale. Gjatë qëndrimit në Pukë kryetarja e Kuvendit vizitoi edhe mjediset e një fabrike të një prej markave më të njohura të këpucëve në Europë, një biznes që kishte mundësuar punësimin e mbi 100 vajzave e grave.
Patozi takon banorë të fshatit Panaja në komunën Nartë
Në vazhdim të turit elektoral, kandidati i PD-së për qarkun e Vlorës, Astrit Patozi, zhvilloi takime me banorë të fshatit Panaja në komunën Nartë, komunë kjo që ka votuar për Partinë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 2005-s dhe në zgjedhjet lokale të 2007-s. “Derisa ju na votuat në 2005-n, kur kishim vetëm premtimet dhe shpresën që gjërat do të ndryshonin, dhe në 2007-n, kur ende nuk ishin vjelë frytet e reformave të nisura, më 28 qershor të 2009-s keni të gjitha arsyet e mundshme për të na mbështetur, sepse ne vijmë tek ju me premtime të realizuara”, - tha Patozi, që renditi si suksese të qeverisë “Berisha” anëtarësimin në NATO, uljen a e taksave, rritjen e investimeve ne infrastrukturë, dyfishimin e rrogave dhe pensioneve etj. “Ne kemi investuar për rrugë, kanalizime, ujësjellës, por kemi shumë për të bërë në 4 vitet që vijnë. Punësimi, furnizimi 24 orë me ujë janë disa nga prioritetet tona”, - është shprehur Patozi.
Kandidatët e PD-së së Korçës takojnë emigrantët shqiptarë në Selanik
Kandidatët për deputetë të PD-së për qarkun e Korçës Ridvan Bode, Gjergji Papa, Ledina Alolli, Elfrida Zefi dhe Jonela Spaho, janë takuar në qytetin e Selanikut të Greqisë me emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë atje. Gjatë këtij takimi, ku ka qenë i pranishëm edhe prefekti i Selanikut, Psomiadhis, të dyja palët vlerësuan bashkëpunimin e qeverisë shqiptare me qeverinë greke dhe marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve. Kandidatët e PD-së evidentuan arritjet e qeverisë shqiptare në këto katër vite dhe shpalosën platformën e PD-së për mandatin e ri katërvjeçar. Anëtarësimi në NATO, aplikimi për vend anëtar në BE, ulja e taksave, rritja e investimeve ne infrastrukturë, dyfishimi i rrogave dhe pensioneve, sipas Bodes, janë arritje të qeverisë Berisha që jo vetëm përmirësuan imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, por edhe siguria për mbajtjen e premtimeve gjatë 4 viteve të ardhshme.
Olldashi në Roskovec: “Në mandatin e dytë do të pesëfishojmë investimet për bujqësinë”
Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Fierit, Sokol Olldashi, gjatë një takimi që zhvilloi me banorët e Roskovecit, premtoi pesëfishimin e financimeve në bujqësi.
Gjatë fjalës së tij Olldashi tha se në mandatin e dytë qeveria e PD-së do të pesëfishojë investimet për bujqësinë dhe do të stimulojë prodhimin duke shtuar dy skema të reja subvencionimi. “Për sipërfaqe të mbjella ne do të paguajmë me para në dorë të gjithë fermerët për të ndihmuar në subvencionimin e naftës dhe të plehrave kimike”, - tha Olldashi. “Do të sigurojmë ujin për vaditje për çdo sipërfaqe bujqësore që gjendet në të gjithë territorin e Ultësirës Perëndimore. Do të financohet nëpërmjet buxhetit të shtetit stabilizimi, rikthimi në gjendje normale të gjithë sistemit të kanalizimeve, ujitjes dhe kullimit”, - siguroi ai. Olldashi u bëri thirrje të gjithë banorëve të Roskovecit, të qarkut të Fierit dhe Shqipërisë të votojnë Partine Demokratike.
20 Qershor 2009