E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha vazhdon turin elektoral në Juglindje, premton investime në infrastrukturë



Kryeministri Sali Berisha ka vazhduar gjatë ditës së djeshme turin elektoral në qytetet juglindore të vendit ku ka premtuar rritjen e investimeve në infrastrukturën rrugore. Berisha është ndalur dje në qytetin e Kolonjës, ku gjatë një takimi me banorët e zonës ka premtuar ndërtimin e unazës së qytetit. “Të gjitha komunat e Kolonjës, kudo që ndodhen, do të lidhen me qytetin me rrugë të asfaltuara. Të gjitha fshatrat e këtij rrethi do të lidhen me qendrën e komunës me rrugë të asfaltuara. Të gjitha shtëpive të këtij rrethi dhe të mbarë Shqipërisë do tu garantohet uji 24 orë gjatë mandatit të ardhshëm”, - është shprehur kryeministri Berisha. Ai gjithashtu premtoi rritjen e mëtejshme të pensioneve dhe subvencionimin e bujqësisë. “Partia Demokratike në këto 4 vite ka subvencionuar fermerët e këtij rrethi 16 herë më shumë se sa Partia Socialiste. Ju garantoj se këto subvencione do të shumëfishohen dhe se ne do të subvencionojmë imputet që ju përdorni për prodhimin bujqësor, si dhe akcizën e naftës për sipërfaqen e mbjellë”, - është shprehur Berisha, ndërsa ka kërkuar dhe votën e socialistëve të këtij qyteti.
Pas takimit me banorë të Kolonjës, kryeministri Berisha vijoi takimet në Leskovik, ku fillimisht inauguroi rrugën Leskovik-Tre urat, investim me vlerë 800 milionë lekë.
Në fjalën e tij kryeministri premtoi se investimet në infrastrukturë gjatë katër viteve të ardhshme do të jetë 10 herë më të mëdha. “Unë jam sot këtu për t’u zotuar se këto investime në 4 vite që vijnë do të jenë së paku 10 herë më të mëdha. Së pari, në infrastrukturën rrugore, kam ardhur t’ju garantoj se aksi rrugor Kolonjë-Leskovik do të rindërtohet i tëri, me parametra europianë, se aksi rrugor Leskovik-Përmet do të rindërtohet i pari në parametra europianë. Në 4 vitet që vijnë ju do të keni një nga infrastrukturat rrugore më të mira në Shqipëri dhe në rajon”, - është shprehur Berisha. Më pas Berisha ka zhvilluar takime elektorale në Përmet dhe në Tepelenë ku dhe atje premtoi rritjen e investimeve të qeverisë gjatë mandatit të dytë.

20 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›