Muajt e Mjaltit, në udhën e festivaleve ndërkombëtare të filmit
Honeymoons (Muajt e Mjaltit), që shënon edhe bashkëpunimin e parë kinematografik mes Shqipërisë dhe Serbisë, ndërkohë po vijon turin e tij të suksesshëm në festivale të ndryshme botërore. Skenari është një ndërtim i vetë regjisorit Goran Paskaljevic dhe Genc Përmetit, të cilët kanë shkruar dy histori të ngjashme, një serbe dhe një shqiptare, që ecin
paralelisht, pa u takuar askund, që rrëfen marrëdhëniet shumëshekullore mes dy popujve, bëhet fjalë për realitetet e të dy vendeve, të cilët ngjajnë aq shumë dhe ndajnë të njëjtën shpresë, Europën. I cilësuar si një film, i cili ka hyrë në histori edhe gjatë këtij viti ai është prezantuar denjësisht në disa festivale ndërkombëtare të filmit. Muajt e Mjaltit ka qenë pjesëmarrës në disa evenimente të rëndësishme kinematografike, si në festivalin e filmit në Gotenberg, Roterdam, Santa Barbara. Ai u prezantua gjithashtu dhe në festivalin e filmit, që u zhvillua në Trieste. E në vijim të udhës së tij në evenimente të ndryshme botërore, bashkëprodhimi shqiptaro-serb Honeymoons do të jetë dhe në dy evenimente të tjera të rëndësishme kinematografie botërore gjatë ditëve të muajit mars. Festivali i filmit që do të zhvillohet në Miami nga data 5-14 mars, mirëpret dhe filmin Muajt e Mjaltit, e ndërkohë që udha e tij do të vijojë më festivalin ndërkombëtar të filmit që do të zhvillohet nga data 18 deri më 28 mars në Cleveland. E ndërkohë që disa kohë më parë, pas prezantimit të tij në Venecia, filmi me regji të Goran Paskaljevicit dhe bashkëskenarist Genc Pëmretin në festivalin e ri të filmit Europian në Les Arcs rrëmbeu Çmimin e Jurisë, kështu bashkëprodhimi shqiptaro-serb korr suksesin e radhës në Francë. Ky vlerësim vjen pas disa sukseseve që ai pati në disa festivale të tjera europiane, ku mes emrave të njohur të kinematografisë botërore filmi me regji të Goran Paskaljevic dhe bashkëskenarist Genc Përmetin i shtohet dhe ky çmim. Muajt e mjaltit, fituesi i çmimit Golden Spike në Valladolid të Spanjës, gjithashtu pas prezencës ndërkombëtare në Festivalin e Venecias dhe Torontos u shfaq si premiera në Tiranë. Filmi duket se ia ka arritur qëllimit të tij për të përcjellë tek publiku mesazhin njerëzor të bashkëjetesës mes dy popujve, të cilët aspirojnë një të ardhme më të mirë në Evropë.
Muajt e mjaltit, dy histori të ngjashme që ecin paralelisht
Ngjarja fillon në Shqipërinë dhe Serbinë e ditëve tona. Ne ndjekim fatet e dy çifteve që kanë vendosur të lënë vendlindjet e tyre në kërkim të një jete më të mirë në Evropën Perëndimore. Pas gjithfarë lloj incidentesh, kur çifti shqiptar mbërrin në një port të jugut të Italisë, nisin edhe problemet e tyre. I njëjti fat pret edhe çiftin serb që udhëton me tren për në Bashkimin Evropian në kufirin hungarez. Edhe pse dy palët nuk i lidh asgjë me një incident të ndodhur në Kosovë ku humbën jetën dy ushtarë Italianë të OKB, ata arrestohen në kufi dhe dyshohen për shkak të disa rrethanave të pafat. Kjo i pengon të dy çiftet, ndoshta përkohësisht, të arrijnë ëndrrën e tyre, siç është shpesh rasti i të rinjve në Ballkan që paguajnë për gabimet e brezave të shkuar. Puna që ka bërë regjisori Goran Paskaljevic së bashku me bashkëskenaristin Genc Përmeti ka marrë vlerësimet maksimale dhe nga emra që sot janë cilësuar si ikona të filmit dhe teatrit shqiptar. Në rolet kryesore interpretojnë: Nebojsa Milovanovic (Marko) Jelena Trkulja (Vera) Jozef Shiroka (Niku) Mirela Naska (Majlinda) Bujar Lako (Rroku) Yllka Mujo (Vevo), Lazar Ristovski aktori i parë me shpesh në filmat e Paskaljevicit. Të tjerë aktorë shqiptarë që luajnë janë Rozeta Feri, Kristaq Skrami, Timo Flloko, Çun Lajçi, Myzafer Zifla, Genti Kame, etj. Në TIFF 09 Çmimi i Mirënjohjes i shkoi sërish regjisorit Goran Paskaljevic. Ndërkohë nga viti 1971 deri tani ai ka bërë 30 filma të shkurtër/dokumentarë dhe 15 filma të gjatë, shumë prej të cilëve janë shfaqur dhe vlerësuar nga festivalet më prestigjioze ndërkombëtare të filmit.
Nga Julia Vrapi