E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salihi firmos për DC Junajtid, gjen Eldoradon në Amerikë

Nga Adi Metaliu

Sulmuesi 28-vjeçar shqiptar ka nënshkruar kontratë 4-vjeçare dhe do të përfitojë 3 milionë dollarë

Merr fund telenovela Salihi. Destinacioni i tij i ardhshëm nuk është as Kina e largët dhe as Skocia, por Amerika. Në mënyrë krejt të papritur sulmuesi i kombëtares shqiptare ka arritur marrëveshjen me skuadrën amerikane DC Junajtid, duke lënë me gisht në gojë kinezët e Çangçun Jatait, të cilët e bënë para kohe zyrtare marrëveshjen, kur vetë futbollisti nuk e kishte nënshkruar kontratën.

Salihi do të luajë për 4 vite në kampionatin amerikan, ku do të përfitojë gjithsej 3 milionë dollarë, pra rreth 750 mijë dollarë në sezon. DC Junajtid është skuadra e kryeqytetit të SHBA-ve, Uashington, që militon në Konferencën e Lindjes.

- Hamdi, firmosët për DC Junajtid?

- Po, tashmë gjithçka ka përfunduar. Jam zyrtarisht lojtar i DC Junajtid.

- Diçka e papritur, të gjithë prisnin të shkonit në Kinë?

- Kinezët më bënë ofertë shumë të mirë, por kjo e DC Junajtid është e jashtëzakonshme, smund ta refuzoja.

- Sa është kohëzgjatja e kontratës dhe sa do të përfitoni?

- Kontrata është për 4 vjet, ndërsa unë do të përfitoj gjatë kësaj kohë rreth 3 milionë dollarë. Këtë mund të konfirmoj për momentin. Edhe diçka tjetër: në kontratë kam një klauzolë, e cila më lejon pas 2 vitesh të largohem nga DC Junajtid. Mund tju siguroj që jam lojtari më i paguar i kësaj skuadre.

- Keni ndër mend të qëndroni vetëm 2 vjet?

- Jo, nuk e thashë këtë. Nëse pas dy vitesh unë nuk mbetem i kënaqur, mund të largohem pa asnjë lloj detyrimi nga kjo skuadër.

- Kur do ti bashkoheni kësaj skuadre?

- Për momentin jam në Vjenë, por do të më duhet rreth një javë që të plotësoj të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të shkuar dhe qëndruar në Amerikë. Por kjo nuk është problem, sepse kampionati amerikan nis në muajin mars.

- Mund të na tregoni si ndodhi që firmosët për këtë skuadër?

- Me Dc Junajtid luan Branko Boshkoviç, futbollist malazez, i cili ka qenë pjesë e Rapidit para dy sezonesh. Ai është ndërmjetësi që bëri të mundur arritjen e marrëveshjes.

- Po Rapidi, sa do të përfitojë nga kjo marrëveshje?

- Nuk e di të saktë. Sigurisht që do të përfitojë, por të them të drejtën, nuk ma kanë thënë shifrën.

- Keni komunikuar më drejtuesit e kësaj skuadre?

- Kam folur me trajnerin, i cili mu duk shumë i entuziazmuar që do të isha pjesë e skuadrës së tij. Sepse sezonin e fundit DC Junajtid nuk ka zhvilluar një kampionat shumë të mirë, por objektivat për sezonin e ardhshëm janë të tjera.

- Keni frikë se kalimi në kampionatin amerikan do tju penalizojë në kombëtare?

- Jo, nuk e mendoj kështu. Kampionati amerikan është shumë i fortë. Sidomos vitet e fundit ka bërë progres të jashtëzakonshëm. Pastaj, edhe po të luaja vitet e ardhshme në Europë, kjo sdo të thotë se do ta kisha të sigurt vendin në kombëtare. Gjithçka varet nga trajneri, nëse ai mendon se mund të jap kontribut në kombëtare, unë do të jem gjithmonë i gatshëm ti përgjigjem ftesës së tij.

Salihi, kundërshtar i Bekhamit dhe Henrisë

Futbolli në Amerikë nuk është sporti më popullor, që pëlqehet nga pjesa më e madhe e njerëzve, por gjithsesi niveli është i kënaqshëm. Madje për ti bërë reklamë, në të kaluarën dhe sot shpenzohen shifra marramendëse për të blerë lojtarë të mëdhenj. Emrat e famshëm shkojnë në Amerikë kur janë në fund të karrierës dhe pasi kanë fituar gjithçka në Europë.

Edhe Pele i Brazilit, Euzebio i Portugalisë apo Franc Bekenbauer i Gjermanisë nuk kanë mundur ta refuzojnë ofertën faraonike të Amerikës. Aktualisht me skuadrat amerikane luajnë emra të mëdhenj të futbollit, si David Bekham, Tierri Henri apo Rafael Markez. Salihi do të ketë fati që tri emrat e fundit ti ketë kundërshtarë gjatë kampionatit që pritet të nisë në muajin mars.

DC Junajtid, skuadër elitare në Amerikë

Skuadra e kryeqytetit të Amerikës (Uashington), DC Junajtid, në dy dekadat e fundit është në elitën e futbollit amerikan. Është shpallur katër kampione në vitet 1996. 1997, 1999 dhe 2004. Në vitet 1996 dhe 2008 ka fituar Kupën e Amerikës. Hamdi Salihi bën pjesë në listën e futbollistëve më me emër që kanë luajtur me këtë skuadër. Brus Arena, ish-trajneri i përfaqësueses së Amerikës, e ka drejtuar DC Junajtid në fund të viteve 90.

Karriera e Hamdi Salihit

Sezoni                        Skuadra          Ndeshje          Gola

2002/2003     Vllaznia         2          0

2003/2004     Vllaznia         31        14

2004/2005     Vllaznia         20        16

2004/2005     Panionios       6          0

2005/2006     Tirana             35        29

2006/2007     Tirana             17        13

2006/2007     Ried                16        6

2007/2008     Ried                33        12

2008/2009     Ried                32        18

2009/2010     Ried                7          2

2009/2010     Rapid              31        17

2010/2011     Rapid              44        25

2011/2012     Rapid              15        11

TOTALI:                                289     163

2007-              Shqipëria       37        9

Lacio përfshin Canën në listën e Europa League

Trajneri i Lacios, Edi Reja, ka vendosur përfundimisht që ta përfshijë Lorik Canën në listën e futbollistëve që do të luajnë në Ligën e Europës. Kjo do të thotë se gjendja shëndetësore e futbollistit shqiptar ka ardhur duke u përmirësuar dhe se shumë shpejt ai do ti bashkohet skuadrës së parë. Cana pësoi një dëmtim të rëndë në shtyllën kurrizore në fillim të janarit në humbjen 4-0 me Sienën. Riaftësimi i shpejtë i Canës rrit mundësinë e grumbullimit me kombëtaren e Shqipërisë për miqësoren e 29 shkurtit në Tbilisi

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›