Muça: Kjo ndeshje do të jetë edhe për presidentin Gjika
Trajneri i Flamurtarit e sheh shumë pozitive që kjo ndeshje po luhet, pasi nëse do të shtyhej, do të ngjeshej shumë kalendari dhe jo vetëm për vlonjatët
Fitore për Vlorën, sportdashësit, pse jo, edhe për Gjikën, presidentin e ekipit vlonjat, që vijon të kurohet për gjendjen e tij në një nga spitalet e kryeqytetit. Kështu deklaron trajneri i Flamurtarit, Shkëlqim Muça, i cili kërkon një paraqitje dinjitoze të Flamurtarit në ndeshjen përballë Skënderbeut.
Ndërsa ka zhvilluar stërvitjen e fundit përpara këtij takimi, Muça nuk ka ngurruar, që ashtu si zakonisht, të flasë para ndeshjes zyrtare, duke e quajtur një ndeshje shumë të rëndësishme, por fatmirësisht, sipas tij, do të luhet. Për mua, nuk ka rëndësi se ku luhet, e rëndësishme është që do të luhet në një fushë, që do të jetë veç për futboll, pa u ndikuar nga moti i ftohtë apo shkaqet e tjera.
Fatmirësisht, po luhet, pasi nëse do të vijohej të shtyhej, atëherë kalendari do të ishte shumë i ngjeshur dhe do të duhej të luanim disa takime në pak ditë. Mendoj se kjo nuk i vlen askujt. Flamurtari është gati për këtë përballje, aq më shumë është e para e vitit 2012 dhe dëshirojmë ta nisim me këmbë të mbarë, por kujdes nuk duhet ti japim më shumë rëndësi se çfarë duhet.
Jam i kënaqur nga gjendja e ekipit, nga futbollistët, të cilët kanë treguar përkushtim në stërvitje dhe ajo që kërkojmë është që gjithçka tashmë të pasqyrohet në fushën e lojës në këtë ndeshje ndaj Skënderbeut. E kam thënë edhe më parë, pak ditë kanë kaluar, nuk është vetëm një ndeshje ish-ësh, është një përballje për Kupën e Shqipërisë dhe Flamurtari kërkon gjithmonë më të mirën e tij, kudo ku luan dhe në çfarë kompeticioni luan, kupë apo kampionat. Këtë do të kërkojmë edhe ndaj Skënderbeut, thekson trajneri i ekipit vlonjat.
Blerjet Ka mbërritur një tjetër lojtar. Unë ndihem i kënaqur, pasi kërkesat e mia në këtë merkato janë realizuar në mënyrën më të mirë të mundshme nga drejtuesit e klubit, të cilët kanë arritur të sjellin në skuadër futbollistët që unë dëshiroja, me qëllimin e vetëm që ekipi të dijë dhe të jetë në brendësi të realizimit të të gjitha objektivave të veta gjatë këtij sezoni. Me pak fjalë, jam i kënaqur për merkaton e realizuar, ajo që duhet të bëjmë është vetëm në fushën e lojës.
Jam i kënaqur edhe nga interesimi i sportdashësve, të cilët, e kam thënë, gjithmonë janë një mbështetje e madhe për ekipin, kudo që luajmë dhe kjo tregon se këta të fundit e duan këtë ekip. Kështu që kjo ndeshje është për të gjithë Vlorën, sportdashësit, por natyrisht edhe për presidentin tonë.
Ne do të kërkojmë që të realizojmë një ndeshje sa më të mirë në Pogradec, në një ndeshje që për fatin e mirë tani po luhet dhe ti lëmë mënjanë polemikat, tashmë flet fusha e lojës. Mendoj se ekipi është gati, të shkojmë të zhvillojmë ndeshjen tonë, – përfundon trajneri i Flamurtarit, Shkëlqim Muça.
