BUNDESLIGA. BAYERN DHE WERDER NUK GABOJNE

Top News - Bayern i Mynihut dhe Verder Bremen nuk gabuan në ndeshjet e radhës në Bundesligë. Të dyja skuadrat kryesuese arritën fitore të rëndësishme respektivisht kundër Shalke 04 dhe Borusia Dortmund.
Të besuarit e Otmar Hitsfeld thyen në Arena Aufshalke, në ndeshjen më të rëndësishme të kësaj jave, Shalke 04 me rezultatin 1-0. Autori i golit të vetëm të kësaj ndeshje ishte Miroslav Klose, por merita më të shumta pati francezi Riberi, që kaloi mirë në krah për të gjetur të lirë sulmuesin 29 vjecar. Bajern pati edhe raste të tjera për të rritur avantazhin. Por në asnjë rast nuk arriti të shënojë. Gjithsesi bavarezët i morën 3 pikët e nevojshme për të ruajtur kreun e renditjes.
Edhe Verder nuk gaboi kundër Borusia Dortmund, ndaj së cilës fitoi me rezultatin 2-0. Ai që i dhuroi fitoren skuadrës së Tomas Shaf ishte Rosenberg që shënoi dy gola në portën e Dortmund. Goli i parë u shënua në minutën e 45-të të pjesës së parë, ndërkohë që dyfishimi i rezultatiti erdhi vetëm në pjesën e dytë në minutën e 18-të të saj.
Fitore në këtë javë të kampionatit gjerman arritën edhe Hanover me Nurenberg 2-1 dhe Karlsruhe me Volfsburg 3-1. E vetmja ndeshje që u mbyll në barazim ishte ajo midis Hansa Rostok dhe Arminia Bilefeld, ndërkohë që përballja midis Energi Kotbus dhe Shtutgartit u shty per nje date te mevonshme.
Burimi:-