Çdo javë, një premierë në kinema “Millennium”
Çdo javë, një premierë! Është kjo oferta pranverore që kinema “Millennium” bën për publikun duke shtuar numrin e filmave që do të shfaqen në ekranin e saj. Për çdo të premte në kinema Millennium krahas filmit që do të jetë duke u shfaqur gjatë javës do të projektohet edhe një film i ri. Në këtë mënyrë fundjava do të sjellë për publiku jo më një film, por dy filma, duke shtuar kështu mundësinë e zgjedhjes së një filmi të preferuar nga spektatorët. Premierat e të premtes do të fillojnë nga data 8 prill kur në kinema Millennium krahas filmit “Baaria” që po shfaqet aktualisht do të fillojnë edhe projeksionet e filmit “Clash of the Titans". “Clash of the Titans” është një film epik që gërsheton aventurën dhe misterin, realen dhe irrealen. Filmi është përcaktuar si një provë për yllin e ri të kinemasë, Sam Ëorthington. “Clash of the Titans” do të jepet premierë botërore me 2 prill dhe vetëm një javë më pas mbërrin në kinema Millenium për tu ndjekur nga publiku shqiptar.
Historianët, Maqedonia po shkatërron kulturën ilire
Gërmimet arkeologjike që kanë nisur para disa ditësh në Kalanë e Shkupit kanë shkaktuar reagimet e historianëve shqiptarë. Sipas studiuesve shqiptarë Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në Maqedoni me këto gërmime nuk ka për qëllim zbulimin e gjurmëve e provave nga e kaluara, por shkatërrimin vandal të shtresave e kulturës nga periudha ilire e këtij qyteti. Në procesin e gërmimeve nuk është përfshirë asnjë arkeolog shqiptar. Gërmimet kryhen me ekskavator, ku për 3-4 ditë është gërmuar pjesa verilindore e kalasë e cila nuk ka qenë e prekur. “Askund në botë gërmimet arkeologjike nuk kryhen me ekskavator. Jam i mendimit se janë shkatërruar shtresa të tëra të etnokulturës nacionale të antikitetit që i përkasin kulturës ilire”, deklaron për mediat historiani shqiptar Skënder Hasani. Historianet shprehen se gërmimet arkeologjike janë edhe më të dëmshme se projekti “Shkupi 2014”.
Ramazan Bogdani dekorohet me “Mjeshtër i madh”
Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike do të organizojnë sot në sallën "Aleks Buda" të Akademisë së Shkencave, një ceremoni me rastin e dhënies së dekoratës “Mjeshtër i Madh” Prof. Ramazan Bogdanit, studiues në fushën e etnomuzikologjisë dhe etnokoreografisë shqiptare. Në këtë veprimtari do të marrin pjesë edhe përfaqësues të institucioneve qendrore të shtetit dhe të kulturës shqiptare. Vetëm pak muaj më parë, Ramazan Bogdani u shfaq para lexuesit me vëllimin e dytë të Kolanës Etnokoreografike titulluar “Etnokoreografia II”. Me rreth 640 faqe, ky libër voluminoz përfshin lëndën e pasqyruar në një hapësirë tetëvjeçare (1980-1987).
1 Prill 2010