Një grua përballë Sali Berishës
Sali Berisha ka frikë një grua. E ka frikë më tepër se krizën politike, më shumë se krizën ekonomike, e ka frikë më shumë se shumëlloj pikëpyetjesh serioze që kanë nisur të shumëfishohen në këtë fillim aspak të lavdishëm të mandatit të tij të dytë. Kjo grua quhet Aneta Rama. Në frikën kryeministrore nuk ka rëndësi mbiemri që mban kjo grua. Nuk ka rëndësi as fakti që është bashkëshortja e një burri që quhet Kristaq Rama, të cilit nuk i “falin” as qetësinë e merituar të përtejbotës dhe e trazojnë dhe në vendin e prehjes së përjetshme. As që është e ëma e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, që ka punën dhe luftën e tij. Që prej pak ditësh ajo është thjesht dhe vetëm një qytetare e këtij vendi që ka për pronë thjesht dhe vetëm votën e saj, që i jep sovranitetin e pandryshueshëm kushtetues për të vendosur për qeverisjen e vendit. Ka garancitë e saj kushtetuese e qytetare që e mbrojnë atë dhe dinjitetin e saj edhe nga pushteti, ushtruesit e tij e gjithkush tjetër. Sot, Aneta Rama ka përballë Sali Berishën, njeriun që po sipas kushtetutës dhe ligjeve, duhet të jetë një nga garantët e të drejtave të pandryshueshme kësaj gruaje. Aneta Rama ka paditur qytetarin Sali Berisha, me detyrë kryeministër i vendit në Gjykatë për shpifje. Ngjan si një betejë krejtësisht e pabarabartë sepse përballë saj është; njeriu që ka mundur rregullisht, me të gjitha mënyrat e mjetet të gjithë burrat e tjerë të fortë të këtij vendi, njeriu që është në një mënyrë apo një tjetër në pushtet absolut në këtë vend që prej 20 vjetësh dhe premton të jetë në të njëjtin pozicion edhe për 35 vjet të tjera, njeriu që gëzon një shkallë të gjerë imuniteti politik e kushtetues, njeriu që ka me vete, të paktën numerikisht pothuaj gjysmën e popullsisë së vendit me vete, njeriu që është i mbrojtur nga një llogore politike, xhama antiplumb në zyrë e shumë truproja në korridore, Ky njeri, pra, është tashmë në duel me një grua në pension dhe që prej më shumë se dhjetë vjetësh, që kur i biri ka hyrë në politikë, ka zgjedhur të heshtë përballë sulmesh politike që kanë rrjedhur për shkak të politikëbërjes së të birit. Prej disa ditësh është vënë një bast, i cili nuk i le shumë mundësi për të zgjedhur qytetarit Berisha, me detyrë kryeministër: ose do të pranohet dueli ligjor, ose do shmanget prej tij. Nga ky moment, vetë Shqipëria ka shanse të jetë ndryshe, nga ky moment, Sali Berisha është përballë shansit të madh e të papërsëritshëm që të demonstrojë e të japë prova edhe për të vërtetat që pretendon për shumëçka tjetër që ka të bëjë me karrierën e tij të trazuar politike. Ka shansin e madh të bëjë zgjedhjen e pakthyeshme: ose thotë të vërtetën e tij në gjykatë, ose të pranojë se është gënjeshtar i pandreqshëm! Ka shansin e madh të dëshmojë se beson dhe i bindet ligjit. Ka shansin e madh të dëshmojë se beson në drejtësi dhe në kushtetutën e Shqipërisë që thotë se çdo qytetar është i barabartë përpara ligjit. Ka shansin e madh të bëjë politikë si Evropian e ta verë fatin e tij në dorë të të drejtës. Zgjedhja është në dorën e tij! Prej muajsh kryeministri mban në dorë çelësin për zgjidhjen e krizës politike në vend me një argument të vetëm: nuk dal dot mbi vendimin e gjykatave. Sot, falë kësaj gruaje, është në gjendje që ta provojë sesa seriozisht e ka një gjë të tillë: mjafton të shkojë në gjykatë për të mbrojtur veten e t´i bindet vendimit të gjykatës, njëlloj siç mbron moshapjen e kutive të zgjedhjeve. Sali Berisha ka folur për rëndësinë e tkurrjes së imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë të shtetit. Sot, falë kësaj gruaje, ai ka në dorë të vërtetojë se e ka seriozisht atë që thotë. Mjafton të mos presë vendimin e Gjykatës së Lartë për heqjen e imunitetit të tij, por ta dorëzojë vullnetarisht dhe të shkojë aty si çdo qytetar tjetër apo si çdo homolog tjetër i tij në Evropë që nuk do të guxonte ta mendonte dy herë të kundërtën. Ka folur për të vërtetat relative që nxjerr vazhdimisht nga goja dhe raportin politik mes gënjeshtrës publike e të vërtetës gjithashtu publike, sot, falë kësaj gruaje, jashtë fushatës elektorale, ka mundësinë të provojë se nuk është gënjeshtar. Mjafton të shkojë në gjykatë dhe të provojë përpara gjykatësve atë çfarë nxjerr nga goja në Kuvend e kudo gjetkë, i duartrokitur nga njerëzit e tij. Dosja me padinë për shpifje nga Aneta Rama, që të premten është në Gjykatën e Lartë dhe ajo ka vënë përpara një prove të lartë gjithçka është kërkuar të bëhet ndryshe nga e shkuara komuniste në këtë vend në këto 20 vjet. Një trupë juristësh që normalisht duhet të jetë më e kualifikuara në vend, do të duhet të marrë shpejt një vendim: të thërrasë apo jo qytetarin Sali Berisha, me detyrë kryeministër që të përballet me këtë grua në gjykatë. Më shumë se kaq, kjo trupë ka në dorë të vërtetojë se i bindet ligjit, se e interpreton atë dhe nuk është thjesht dhe vetëm një instrument që vërtit ligjin sipas erërave politike. E që të ndodhë një gjë e tillë duhet të vlerësojë çështjen e imunitetit që gëzon qytetari Berisha për shkak të detyrës që mban. Sali Berisha ka në dorë të gjithë numrat e nevojshëm që kryeministri Berisha t´i lejojë qytetarit Sali Berisha, pa imunitet, që të ndeshet në gjykatë me këtë grua. Askush nuk e pengon atë të heqë dorë vullnetarisht nga imuniteti parlamentar. Për fatin e tij të keq, në këtë rast, ai nuk ka asnjë alibi, asnjë shteg ligjor që ta shmangë nga detyrimet që i njeh Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë për t´u ndëshkuar nëse shpif. E ka përdorur dikur me sukses të plotë një armë të tillë me një numër të pabesueshëm kundërshtarësh të tij socialistë, e ka përdorur për gjithë të tjerët ish-miq të tij kur i ka konsideruar armiq, e ka përdorur me biznesmenë apo qytetarë të thjeshtë sa herë i është dukur e nevojshme, dhe në fakt nuk i ka dalë keq. Falë kësaj arme të frikshme ka mundur të terrorizojë kundërshtarët politikë, i ka baltosur, i ka depersonalizuar, i ka frustruar dhe më pas edhe i ka mundur apo dhe i ka “reabilituar” me shprehjen e famshme: Mos i merrni seriozisht ato që them në fushata elektorale! Doktori i pazakontë i politikës shqiptare ngjan më së shumti me njeriun që mbasi të plagos, të dërgon ambulancën për të të çuar me shpejtësi në spital për të kuruar plagët, ngjan me zjarrvënësin që urdhëron zjarrfikëset që të shuajnë zjarrin, ngjan me njeriun që mbasi të vret, të dërgon po me të njëjtën shpejtësi makinën e funeralit dhe të paguan shpenzimet e varrimit. Sot, falë një gruaje, Doktorit i është dërguar një faturë për t´u paguar! Sot, Doktori Berisha është në pozitën më dramatike të mundshme, pikërisht për shkak të një gruaje. Përballë saj atij i duhet të bëjë katarsisin më të madh të jetës së tij dhe në një kuptim madhor, të verë në provë vetë demokracinë e këtij vendi. Mjafton të shkojë dhe të ndeshet me të në gjykatë edhe pse e ka të gjithë shtetin me vete, të shkojë në gjykatë për të treguar se nuk ka frikë nga një grua që sot është absolutisht ankthi i tij më i madh, mjafton të shkojë në gjykatë përballë Aneta Ramës, që përkundrazi, ka vetëm “fatkeqësinë” që mban mbiemrin e saj dhe të drejtën që i jep kushtetuta dhe ligji për ta mbrojtur pasurinë e saj më të madhe njerëzore, dinjitetin dhe mbiemrin e saj!