Shqipëria pret qeverinë e punëve
Shqiptarët votuan alternativën e reformës dhe të investimeve dhe presin që me shpalljen e rezultatit zyrtar, Sali Berisha të nisë negociatat për krijimin e një koalicioni të gjerë, që do të garantonte një qeverisje stabël. Përtej klisheve ideologjike dhe ofertave paraelektorale, Shqipëria ka nevojë për krijimin e shpejtë të qeverisë së punëve “Berisha 2”
Edhe pse është bllokuar numërimi i votave në 3 zona zgjedhore, tashmë është i qartë fituesi i zgjedhjeve të 28 qershorit dhe shqiptarët po presin sa më shpejt qeverinë e punës. Ata mandatuan Sali Berishën që të formojë qeverinë e re dhe presin që sa më shpejt ai të paraqesë koalicionin fitues, atë që zëdhënësja e fushatës e Partisë Demokratike Majlinda Bregu e quajti dje si “koalicioni i Shqipërisë Evropiane”.
Nuk ka më asnjë enigmë se alternativa e Shqipërisë që po Ndryshon, alternativa e një ekipi qeverisës që ndërmerr investime që do të hyjnë në histori është vlerësuar nga zgjedhësit. Rruga Durrës-Morinë, nxjerrja e vendit nga infrastruktura mesjetare dhe ndryshimi i imazhit të shtetit drejt një qeverisjeje të pastër e kanë vlerësuar qeverinë “Berisha” si qeveria e punës, një alternativë që do të duhet të vijojë edhe katër vitet e ardhshme. Edhe pse ende s’kanë dalë rezultatet zyrtare dhe analistët mendojnë se kryeministrit Sali Berisha do t’i duhet që të cedojë disi nga oferta politike dhe ideologjike, vetëm e vetëm për të garantuar qendrueshmërinë e alternativës së punës, pra për të formuar sa më shpejt qeverinë e punëve. Detyrimet e MSA-së dhe fakti se presim që të miratohet kërkesa jonë për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE e bëjnë imperativ përfundimin e menjëhershëm të procesit të numërimit të votave dhe mandatimin e zotit Berisha për krijimin e koalicionit që do të çonte në krijimin e qeverisë së re të punëve, për të cilat Shqipëria ka aq shumë nevojë.
Kronika e ditës së djeshme dha për opinionin publik informacionin se Partia Demokratike do sigurojë 70-72 mandate në Kuvendin e ri të Shqipërisë, duke u konfirmuar kështu si partia fituese e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe vazhdimin e qeverisjes së Shqipërisë edhe për katër vite të tjera. Ndërkohë vetëm 64-66 mandate do t’i takojnë Partisë Socialiste dhe koalicionit “Bashkimi për Ndryshim”, ndërsa me katër mandate është LSI me koalicionin “Aleanca Socialiste për Integrim”.
Partia Demokratike është partia e parë fituese e dalë nga këto zgjedhje dhe ka të drejtën e nisjes së negociatave me partitë aleate, apo edhe zgjerimin e koalicionit, për të bërë të mundur grumbullimin e mandateve të sigurta dhe krijimin e një qeverie të qëndrueshme për katër vitet në vijim. Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi dje se koalicioni i udhëhequr nga PD mund të zgjerohet, dhe se për të bërë organizimin e duhur, për krijimin e qeverisë së re, koha është e përshtatshme, deri në datën 3-4 shtator, sipas përcaktimit kushtetues.
Partia Drejtësi dhe Integrim, që është pjesë e koalicionit “Aleanca e Ndryshimit”, është pranë certifikimit të një mandati për deputet në qarkun e Fierit. Ndërkohë që Partia Demokratike thuajse ka siguruar mandatin e 5-të në qarkun e Lezhës, duke e lënë Partinë Socialiste me vetëm 2 mandate.
Kësisoj, për koalicionin “Aleanca e Ndryshimit”, janë të certifikuar 70 mandate, ndonëse 2 mandatet e tjera, 1 i Partisë Drejtësi dhe Integrim dhe tjetra e Partisë Demokratike, pritet të zyrtarizohet gjatë orëve të para të datës së sotme.
Me këtë rezultat, Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca e Ndryshimit”, kanë mandatet e duhura, për të formuar qeverinë e re dhe për të qeverisur Shqipërinë për katër vitet e ardhshme.
...