E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muhedini: Përfaqësim në nivelet e dyta të qeverisjes

Kryetari Tahir Muhedini, përmes një deklarate për shtyp kërkoi dje të paktën përfaqësimin në nivele të dyta, edhe pse siç shprehet ai, ende nuk ka një përgjigje nga Berisha 

TIRANE-Partia për Drejtësi dhe Integrim, që përfaqëson çamët, ka shprehur keqardhje për faktin se kryeministri Berisha nuk e përfshiu në ekzekutiv me një post ministri. Kryetari Tahir Muhedini, përmes një deklarate për shtyp kërkoi dje të paktën përfaqësimin në nivele të dyta, edhe pse siç shprehet ai, ende nuk ka një përgjigje nga Berisha. Qëndrimin e tij ai e bëri publik në momentin që qeveria e re po bënte betimin në Presidencë. “Në emër të PDI-së shpreh rezerva për përfaqësimin e Spiro Kserës në kabinet, sepse ai ka kërkuar bashkimin e Jugut të Shqipërisë që e cilëson si Vorio-Epir, me Greqinë. Por, ky fakt nuk na pengon që ne si PDI të ngremë me forcë në Parlamentin e ri çështjen çame”, - u shpreh Muhedini. Edhe pse i bindur që do të hasë në vështirësi për zgjidhjen e saj, ai pohoi se një e drejtë e këtij minoriteti është arritur dhe kjo ka të bëjë me përfaqësimin e tyre në Parlament me një deputet. Pak ditë më parë, kreu i partisë që përfaqëson minoritetin çam përforcoi kërkesat e tij në adresë të Berishës, që u reduktuan në dy zëvendësministra, në dy ambasadorë, një në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Bashkimin Europian. Sipas tij, çamët e kërkojnë ambasadorin në SHBA, pasi do të jetë ky aleat i Shqipërisë që do të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes çame. Muhedini, gjithsesi u shpreh i qartë se të gjitha pretendimet e tij sa i takon pjesëmarrjes në qeverisje si dhe në trupin diplomatik shqiptar, do t’ia bëjë të ditur kryeministrit Berisha gjatë bisedimeve kokë më kokë.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›