E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, plagoset me thike një qytetar, arrestohet autori

Ngjarja ndodhi sot pasdite në Tiranë, pranë një zonë shumë të populluar me kalimtarë. Nga hetimet e para mendohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të një konflikti të çastit. I plagosuri rëndë në Spitalin Ushtarak 

TIRANË- Një 39 vjeçar mbeti i plagosur rëndë me thikë pas një konflikti në Tiranë me një person, tashmë i arrestuar nga policia si autor i krimit.
Sipas policisë së Tiranës, ngjarja ndodhi sot pasdite në afërsi të Librit Universitar në Tiranë, një zonë mjaft e populluar me kafene dhe qytetarë ku Arben Bulku, 32 vjeç, banues në Tiranë, qëlloi me thikë duke plagosur rëndë 39 vjeçarin Spartak Qirjaqi.
Forcat e komisariatit nr.2 të policisë që shkuan menjëherë në vendngjarje arrestuan në kushtet e flagrancës të dyshuarin si autor i krimit, 32 vjeçarin Bulku, ndërsa i dëmtuari u dërgua për mjekim në Spitalin Ushtarak, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Nga hetimet e para mendohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të një konflikti të çastit, ku fillimisht i dëmtuari e ka goditur me sende të forta 32 vjeçarin dhe më pas, ky i fundit e ka goditur atë me armë të ftohtë. Vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›