E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi, vizitë zyrtare dy ditore në Mal të Zi

Kreu i shtetit shqiptar u nis per vizite zyrtare ne Malin e Zi. Forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve, zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes dy vendeve, temat kryesore të takimeve me autoritetet e larta malazeze 

TIRANË- Presidenti i Republikës Bamir Topi u nis sot për një vizitë zyrtare dyditore në Republikën e Malit të Zi, me ftesë të Presidentit malazez, Filip Vujanoviç, ku gjatë takimeve me autoritetet e larta të shtetit fiqnj do të diskutohet për forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.
Gjatë qëndrimit në shtetin fqinj, sipas zyrës së shtypit të Presidentit, z. Topi do të zhvillojë takime me homologun e tij malazez, Filip Vujanoviç, Kryeministrin malazez, Milo Dukanoviç, si dhe me përfaqësues të tjerë të lartë parlamentarë, politikë dhe të pushtetit lokal.
Temë qëndrore e bisedimeve do të jetë thellimi dhe forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve të mira mes dy vendeve dhe popujve tanë, në kuadër dhe të zhvillimit e integrimit të rajonit ballkanik në strukturat euroatlantike. Zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, lehtësimi i lëvizjes së lirë të njerëzve, sipas standardeve të BE-së, forcimi i bashkëpunimit kundër krimit të organizuar ndërkufitar dhe trafiqeve të paligjshme, janë disa nga pikat kryesore për të cilat do të bisedohet në këto takime.
Presidenti Topi dhe homologu i tij malazez, Vujanoviç, do të japin dhe një konferencë të përbashkët për shtyp, pas takimit me dyer të mbyllura.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›