E Diel, 1 Nëntor 2026

Mujë Buçpapaj: “Kritika letrare shqiptare, pa autoritet”



Petrika GROSI
Personazhi i radhës në debatin tonë mbi kritikën letrare shqiptare është poeti Mujë Buçpapaj. Në intervistën që vijon trajtojmë shkurtimisht dhe në mënyrë të përmbledhur fenomenet që vërren Buçpapaj sa i takojnë kritikës së sotme e të djeshme letrare në Shqipëri e përtej kufijve. Sipas tij, nuk është se kritika mungon krejt, por brenda kufijve të Shqipërisë është e vështirë të gjesh një kritik të njohur, fjala e të cilit të mirëpritet dhe të merret si orientim nga lexuesi por edhe letrarët. “Kritika shqiptare është mediokre, pa nivel dhe bëhet me prorosi. Pra miqtë shkruajnë me vlerësime superlative mbi miqtë e tyre”, shprehet Buçpapaj mes të tjerash.

A ka sot kritikë letrare në Shqipëri?
Mendoj që ekziston një kritikë letrare sot, por autoriteti i saj nuk është ai që do të duhet dhe as vëmendja ndaj kësaj kritike nuk është e duhura. Po kështu, edhe cilësia i mungon kritikës shqiptare, e jo vetëm asaj letrare. Megjithatë, janë disa eksponentë të kritikës letrare, të cilët shkruajnë dhe janë aktivë. Një prej tyre është prof. Gjekë Marinaj, i Universitetit të Dallasit, një nga modelet më të mira të kritikës bashkëkohore, gjithashtu mund të veçojmë kritikat e Vehbi Myftarit dhe Xhavid Beqirit, profesorë letërsie në Kosovë që operojnë duke bërë një kritikë moderne, larg atyre metodave të realizmit-socialist, që mirë a keq e ka kryer punën e vet. Kemi pasur një brez të vjetër të kritikëve nga Razi Brahimi, gjer te Adriatik Kallulli, Alfred Uçi etj. Disa prej këtyre kritikëve të para viteve ’90 vazhdojnë të shkruajnë por nuk kanë ndonjë arritje të dukshme. Një studiues i mirë, të cilin nuk mund ta quajmë kritik është edhe Agron Tufa. Një kritik të mirë bashkëkohor kemi dhe Skënder Buçpapajn, i cili shkruan jashtë kufijve dhe boton te “Bota sot”. Në përgjithësi, për të mbuluar ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur besoj se këto vite do të vijnë kritikë të tjerë të talentuar.

A kushtëzohet ecuria e kritikës sonë letrare nga mosprodhimi i një letërsie të madhe?
Nuk ka pasur një letërsi të madhe që të kemi një kritikë të madhe. Të gjithë përqendrohen edhe sot te treshja “Agolli – Kadare - Arapi”. Pastaj, letërsia është në vetvete një biznes defiçidar, mendoni sa do të blihet kritika?! Në anën tjetër as kritikët nuk kanë kaq shumë të ardhura sa të sigurojnë të gjitha librat e autorëve të mirë, të cilat natyrisht kushtojnë.

Megjithatë, lexuesi ka nevojë për një kritik, të cilit t’i besojë, në mënyrë që të ketë një pikë referimi drejt vlerave letrare?
Këto 20 vjet nuk njoh për fat të keq asnjë kritik të tillë shqiptar. Përgjithësisht kritika këtu bëhet nga miq e nga shokë. Kritika të mbushura me vlerësime superlative për autorë dhe vlera që janë më pak se mediokre, larg vlerave të vërteta. Ndërkaq, shtypi letrar është i pakët dhe me plot probleme, e në anën tjetër shtypi i përditshëm nuk i kushton shumë rëndësi letërsisë dhe kritikës së saj. Për fat të keq, as fakulteti i letërsisë nuk po prodhon kritikë dhe është inaktiv në këtë drejtim.

Si shpjegohet që thuajse çdo botim i autorëve tanë jashtë shtetit, shikohet si arritje e madhe nga ne dhe kritika shqiptare?
E shikoj me shumë rezerva këtë punë dhe nuk e kam pranuar shpesh. Ka shumë poetë që janë mediokër këtu dhe jashtë bëhen të famshëm. Kjo është qesharake. Përveç treshes që sipërpërmenda ka dalë jashtë dhe Fatos Kongoli, të cilit i janë përkthyer disa vepra në gjuhë të huaja. Nuk është ndonjë arritje botimi i letërsisë jashtë. Në vitet ’90 konsiderohej si sukses për arsye që dihen, ndërsa sot, edhe kur botoj vetë ndonjë vepër jashtë shtetit, e quaj si një gjë mëse normale.

A mund ta bëjnë shkrimtarët kritikën?
Kritikët më të mirë në Shqipëri kanë ardhur nga letërsia. Në përgjithësi, kritikët e viteve ’90 kanë dështuar në krijimtari dhe i kanë hyrë kritikës. Shkrimet e tyre nuk ke qejf t’i lexosh as për vlerat, as për stilin, as për mënyrën e të shprehurit dhe as për rekomandimet që japin. Kështu si këta është dhe një pjesë e mirë e kritikëve të sotëm të cilët duhet të kesh durim të madh për t’i lexuar. Bëjnë kritikë letrare njerëz, të cilët nuk e njohin analizën gjuhësore, analizën e tekstit dhe peshën e gjuhës.

50 vjet nga rizbulimi i “Bukuroshes së Durrësit”

Mozaiku i mrekullueshëm që tashmë njihet me emrin “Bukuroshja e Durrësit” mbush 50 vjeç, që kur u bë i njohur në të gjithë botën shkencore dhe mbetet më i shquari dhe më i lashti i gjetur në Shqipëri, që aktualisht ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Shkrimi i botuar me këtë rast nga ATSh, vijon se këmbëngulja e arkeologut të njohur durrsak Vangjel Toçi, risolli në dritë pikërisht në vitin 1959 një nga veprat më të shquara të lashtësisë, “Bukuroshja e Durrësit”. Toçi ndoqi me kujdes të dhënat e shkruara nga dy arkeologë austriakë në fillimin e shekullit të 20-të mbi praninë e mozaikut në një nga lagjet qendrore të Durrësit. Për herë të parë ky mozaik u zbulua rastësisht gjatë punimeve të ushtrisë austriake për hapjen e një transheje fortifikuese në luftën e parë Botërore në vitin 1916. Oficeri austriak Camillo Prashnicher, që ishte në profesion një arkeolog i shquar, u kujdes që shtresa e mozaikut të ruhej që të mos prishej. Prashnicher është i pari që e botoi fotografinë e mozaikut në një libër të tij arkeologjik për Shqipërinë, duke e quajtur atë një "kryevepër figurative të artit". Më pas mozaiku u mbulua dhe humbi për 33 vjet. Për fat të mirë dhe falë këmbënguljes dhe aftësisë profesionale në vitin 1959 arkeologu durrsak Vangjel Toçi e rizbuloi mozaikun 2300-vjeçar. Bashkëkohësit kujtojnë bisedat e gjata të arkeologut me të moshuarit e qytetit dhe të dhënat e nxjerra nga libri i botuar në vitin 1920 nga arkeologët Shober dhe Prashniker. Mozaiku ndodhej në thellësinë 3.80 metra në themelet e një shtëpie dykatëshe, vetëm 150 metra pas godinës së teatrit "Aleksandër Moisiu" të qytetit. Rizbulimi i tij ngjalli interesin e shumë shkencëtarëve të huaj, të cilët megjithë kufizimet e periudhës komuniste kërkuan ta shihnin nga afër veprën e lashtësisë. Mozaiku ka formë eliptike me diametrin e madh 5.1 metra dhe ze një sipërfaqe afro 9 m2. Në qendër të tij është figura e një gruaje të re dhe të bukur mes një peizashi plot kërcej lulesh, gonxhesh dhe petalesh.
Mozaiku që është mbiquajtur "Bukuroshja e Durrësit", një emër metaforik në nderim të grave të qytetit të lashtë, por edhe të mjeshtrave që e krijuan atë, ka zbukuruar për një kohë të gjatë një banjë luksoze private të qytetit antik. Teknika e përdorur për krijimin e mozaikut është me gurë zalli natyrorë me ngjyra të ndryshme të ngjitura me njëra tjetrën me mjeshtëri shumë të madhe. Ende nuk ka një mendim të përcaktuar shkencor se kujt i përket figura qendrore e mozaikut. Disa studiues e lidhin atë me Aurën, një nga shoqërueset e Artemidës, ndërsa të tjerë mendojnë se i përket hyjneshës Eylithea, që ndihmon në lindjen e shëndetshme të fëmijëve. Në vitin 1982 mozaiku u zhvendos nga Durrësi dhe u vendos në sallën kryesore të Antikitetit në hyrje të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Sidoqoftë, mozaiku që ngjalli interesimin e shkencëtarëve nga gjithë bota, vazhdon të njihet thjesht si "Bukuroshja e Durrësit", duke i dhënë qytetit të lashtë një privilegj më shumë për turistët vendas dhe të huaj.

23 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›