E Diel, 1 Nëntor 2026

Muka kërkon fanellen kuqezi: Han, e dua një vend në kombëtare

Kapiteni është rikthyer, madje më i fortë se kurrë. Devi Muka, mesfushori vlonjat i Tiranës, tani është gati të kontribuojë për skuadrën e tij, por edhe për kombëtaren shqiptare tek e cila ka qenë titullar në shumë ndeshje të rëndësishme. “Ndihem mirë dhe nuk kam më probleme me dëmtimin. Ndeshja me Milanin ishte një testim që unë i bëra gjurit dhe gjithçka shkoi ashtu si unë dëshiroja. Një tjetër provë ishte ndeshja derbi me Dinamon. Aktivizimi im për 20’ minuta ishte më se i mjaftueshëm për të vërtetuar edhe njëherë gjendjen pas rikuperimit të plotë. Është e vërtetë që nuk jam në 100% të formës sime, por shumë shpejt do të rikthehem si më parë”, thekson 32-vjeçari bardheblu.

Devi, riktheheni në fushën e lojës pas një periudhe shumë të gjatë dëmtimi. Si e ndieni veten?
Ndihem shumë mirë dhe po provoj emocione të mëdha. Kam kaluar një dëmtim të rëndë në gju dhe shumë operacione. Gjithsesi, e rëndësishme është se gjithçka kaloi dhe tani jam gati për skuadrën time.

Ndeshjen e parë zyrtare me Tiranën e luajtët pikërisht ndaj Milanit të madh. Çfarë përjetuat në atë takim?
Një nga gëzimet më të mëdha të jetës sime. Ishte ndeshja e parë zyrtare që unë luaja me Tiranën dhe kjo nuk ishte pak. Ky rikthim ishte edhe më i sukseshëm pas fitores 2-1. Të luaj ndaj yjeve të tillë si Ronaldinjo, Shevçenko, Maldini, Inzagi etj., nuk është diçka e jashtëzakonshme.

Në derbi u aktivizuat 20’ minuta. Pse kaq pak kohë për ju?
Ende nuk jam 100% dhe për këtë më duhet kohë. Gati një vit pa luajtur nuk është pak. Gjithsesi, e rëndësishme është që e ndjej veten mirë dhe në të ardhmen do të luaj më shumë.

Fituat ndaj kampionëve në fuqi të vendit. E merituar?
Plotësisht e merituar. Ndoshta ju keni kërkuar nga Tirana një fitore sa më të thellë dhe harroni se edhe me një gol më shumë fitohet dhe arrihen tri pikët (qesh). Dinamoja është një rivale e fortë dhe nuk mund ta ndëshkosh me shumë gola.

Dëmtimi ka kaluar, po rikthimin në kombëtaren e mendoni?
Sigurisht që e mendoj. Kurrë nuk e kam ndier veten jashtë saj edhe në momentet më të vështira që unë kalova. Dua të rikthehem dhe të shërbej për ngjyrat e kombit tim.

Me Hungarinë dështuam, ndaj Portugalisë morëm një barazim të jashtëzakonshëm. Mendimi juaj për këto dy ndeshje?
Ishin dy ndeshje të ndryshme edhe në rreshtimin e skuadrës nga trajneri Han. Për mendimin tim, me Hungarinë gabuam në dy raste dhe u ndëshkuam, ndërsa me Portugalinë ishim perfekt në fushën e lojës, madje dhe me 10 lojtarë. Shumëkush thotë se na ndihmoi fati, por të mos harrojmë se edhe na dënoi. Rasti i Ervin Bulkut dhe ai i Berishës, mund të na dhuronin fitoren me një lojtar më pak. Atëherë do të kishte ndodhur çudia.   

Opinioni i kapitenit:
TRAJNERI- Fantazisti i Tiranës shprehet edhe për trajnerin Blazh Slishkoviç, që, sipas tij, është ai që i duhet Tiranës. “Blazh Slishkoviç është një trajner tepër profesionist dhe i aftë të ndërtojë një skuadër të madhe, edhe kur ajo nuk është e tillë. Te Tirana ai i ka të gjitha mundësitë, pasi ka gjetur një grup lojtarësh të aftë për të arritur gjithçka. Unë kam punuar edhe me trajnerë të tjerë të huaj, por nuk kishin cilësitë e “Bakës”. Trajneri italian, Leonardo Menekini, ishte një nga të huajt që unë kam punuar, por të mos harrojmë se vinte si trajner i dytë skuadrash”, shprehet Muka për boshnjakun.

RIVALËT- Për Mukën Tirana nuk ka rivalë, të paktën deri në javën e shtatë të kampionatit. Me 17 pikë në shtatë ndeshje, bardheblutë po marshojnë të sigurtë drejt tiullit kampion. “Me sa duket skuadra jonë do ta ketë më të lehtë këtë herë të fitojë titullin e 24 kampion të vendit. Kemi luajtur shtatë ndeshje dhe nuk kemi ndierë vështirësi. Kemi marrë pikët e mjaftueshme për të qenë të qetë në krye. Sigurisht, kemi arritur dhe dy barazime, por kjo ka të bëjë me konsolidimin e skuadrës që për mua është arritur. Edhe Dinamoja që konsiderohet si një nga rivalet më të forta e kaluam të dielën”.

Gazeta "Sporti"

E Merkure, 29 Tetor 2008  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›