E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi hap Lojërat Olimpike Speciale

Olgert Serani (Panorama Sport)

U zhvillua dje ceremonia e ndezjes së pishtarit të Lojërave Olimpike Speciale për fëmijët me aftësi të kufizuara, veprimtari kjo, që organizohet me kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës, Bamir Topi dhe Zonjës së Parë, Teuta Topi.

Në një atmosferë tepër të ngrohtë festive dhe sportive, në një ndër parqet kryesore të Pallatit të Brigadave, Presidenti Topi i dorëzoi solemnisht dhe simbolikisht përfaqësuesit të ekipit të fëmijëve, flakën olimpike dhe në vijim të këtij momenti emocionues dhe të rëndësishëm për këta fëmijë, u shprehu atyre urimet më të ngrohta dhe të sinqerta, duke garantuar për angazhimin e tij maksimal.

 “Unë do të doja t’ju falënderoja ju të gjithëve së bashku, Komitetin Olimpik Kombëtar, Komitetin Olimpik Shqiptar etj, të cilët bënë të mundur që së bashku me prindërit dhe pedagogët, të organizojnë me fëmijët që vijnë nga gjashtë qarqe të Republikës, Lojërat Olimpike Speciale. Unë ndjehem krenar sot, ndjehem i nderuar, i kam të freskëta emocionet e para tre muajve kur i dorëzova, pikërisht në këtë vend, flamurin shqiptar Ekipit Olimpik, i cili u përfaqësua në Pekin, ku flamuri ynë u valëvit së bashku me flamujt e 204 vendeve të globit. Ishte padyshim një pjesëmarrje dinjitoze dhe padyshim që organizime të tilla vetëm shtojnë fondin e historisë së bukur të sportit shqiptar”, tha mes të tjerash kreu i shtetit.

Të pranishëm në ceremoni ishin Hysen Domi, President i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Stavri Bello, Sekretar i Përgjithshëm i KOKSH-it, Fidel Ylli, Kryetar i Komisionit teknik të KOKSH-it, Marta Xho Brajiç, Përfaqësuese e Olimpikut Special Ndërkombëtar etj

Ceremonia

Në ceremoninë e hapjes të Lojërave të Olimpikut Special shqiptar, që do zhvillohen për tri ditë në qendrën Don Bosko, Zonja e Parë e shoqëruar nga zonja Liri Berisha asistoi bashkë me organizatorët e këtij aktiviteti në momentin e ardhjes së Pishtarit Olimpik.

Pas ngritjes së Flamurit Olimpik, himnit dhe betimit olimpik, 250 fëmijët pjesëmarrës në këto Lojëra nga 6 qarqe të vendit janë përshëndetur nga Zonja e Parë, Teuta Topi, e cila vlerësoi në fjalën e saj vullnetin e këtyre fëmijëve për të kapërcyer çdo pengesë fizike në emër të dashurisë për sportin.

“Gara juaj nuk ka të humbur, sepse vetë pjesëmarrja, por edhe vullneti për të kapërcyer çdo vështirësi fizike në emër të dashurisë për sportin janë mjaft domethënëse. Ato janë një mesazh mjaft i mirë që ju i jepni bashkëmoshatarëve tuaj, që në kushte më të mira, nuk e kapërcejnë dot murin e paragjykimeve të vështirësive të përditshme”.

250 fëmijët pjesëmarrës në këto Lojëra janë të ndarë në 12 skuadra përfaqësuese të qyteteve Berat, Durrës, Elbasan, Lezhë, Korçë, Pogradec, Shkodër I dhe II, Tiranë I e II dhe Vlorë, do të garojnë mes tyre në 5 disiplina sportive: futboll, basketboll, ping-pong, atletikë dhe bouling.

E Merkure, 29 Tetor 2008  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›