E Diel, 1 Nëntor 2026

Sotir Qirjaqi në maratonë me Viktoria Bekamin

Tre “maratonamakë” shqiptarë: Sotir Qirjaqi, Suat Jegeni dhe Nexhat Xhemalçe, do të jenë midis 68 mijë pjesëmarrësve nga 110 vende të botës në “New Jork Siti Maraton 2008”.

Maratona është një prej më të mëdhave në botë dhe në të marrin pjesë shumë atletë profesionistë me famë botërore.

Këtë vit do të garohet jo vetëm për të fituar çmimin prej 1 milion dollarësh (i ndarë midis fituesit për meshkuj dhe atij për femra),  por dhe për të vrapuar përballë një kordoni njerëzor prej më shumë se 2 milion shikuesish në kryeqytetin e medias, por dhe një audience të pritshme televizive prej më shumë se 315 milionë shikuesish.

Gara do të zhvillohet, të dielën më 2 nëntor (ora 09:30 në Nju Jork, 03:30 në Shqipëri) dhe ka një gjatësi prej 42 km. Ky është edicioni i 39-të i kësaj maratone popullore.

3 maratonistët shqiptarë të “Klub Maraton Tirana” janë ftuar në këtë aktivitet nga ‘Klub Maraton Nju Jork’. Ata vijnë në këtë veprimtari pas disa garave në Paris, Pragë, Hanover, Ohër, Podgoricë, Saint Michel(Francë) dhe maratonën ‘Nënë Tereza’ në Tiranë.

Sponsori gjeneral i këtij aktiviteti është shumëkombëshja “ING”, ku vetëm ekipi i kësaj kompanie përbehet nga 1 mijë vrapues. 

Për të parë përmasat gjithmonë në rritje të kësaj veprimtarie me përmasa gjigante, mjafton të kujtojmë se në maratonën e parë të zhvilluar në vitin 1970 në Nju Jork, morën pjesë vetëm 127 atletë, ndërkohë që vetëm 55 prej tyre ia dolën të përfundonin garën.

Për ta zbukuruar pak lajmin për Maratonën e Nju Jorkut, ia vlen të përmendim se në të do të marrë pjesë edhe Viktoria Bekam, e cila sipas gosipëve amerikanë është stërvitur prej disa javësh.

E Merkure, 29 Tetor 2008  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›