Pekin, IOC shqyrton problemet para Lojërave
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) takohet në Pekin me një axhendë që kryesohet nga çështjet si ndotja e ajrit, censura në internet dhe dopingu.
Atmosfera para hapjes së Lojërave Olimpike të premten është errësuar nga një numër çështjesh që kanë shkaktuar debat.
Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Jacques Rogge mbërriti në Kinë në kohën që puna e tij është komplikuar nga debati lidhur me kufizimet në përdorimin e internetit.
Në një tjetër çështje, ish atletja e ndaluar të marrë pjesë në Lojëra, grekja Ekatherina Thanou ka kërcënuar se do ta hedhë në gjyq Komitetin Olimpik Ndërkombëtar nëse nuk lejohet të marrë pjesë.
Anëtarë të lartë të Komitetit që përbëjnë edhe Bordin Ekzekutiv të tij, duan të dinë përse disa faqe interneti me përmbajtje politikisht të ndjeshme, janë bllokuar megjithë premtimin se reporterët e huaj do të kenë liri të plotë në përdorimin e internetit.
Gjatë një takimi të pazakontë me gazetarët Presidenti kinez, Hu Xin Tao përsëriti thirrjet që Olimpiada të mos politizohet.
Ai tha se Kina i mirëpriste gazetarët e huaj jo thjesht vetëm për të mbuluar Lojrat Olimpike.
Ndërsa presidenti Hu Xin Tao bëri këto komente në takimin me gazetarët e huaj, autoritetet kineze hoqën masën e bllokimit të disa faqeve në internet, përfshirë edhe ato të organizatave për të drejtat e njeriut Human Rights Watch dhe Amnesty International.
Ndotja e ajrit mbetet ende një problem i madh.
Autoritetet kineze kanë punuar për të përmirësuar cilësinë e ajrit të ndotur që mbulon Pekinin, por atletët vazhdojnë të jenë të shqetësuar.
Steve Roush, kreu i perfomarmancës sportive në ekipin olimpik amerikan, tha se po e monitoronte situatën dhe ishte optimist. (BBC)