E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Mullinj me erë" edhe në Golaj të Hasit

Një grup inxhinierësh të konstruksioneve të energjisë alternative kanë udhëtuar këto ditë në Rrethin e Hasit, ku kanë shfaqur interes për ndërtimin e një serie të gjatë aerogjeneratorësh për energji elektrike. Siç pohoi kryetari i Komunës Golaj, Adem Lala, investitorët italianë kanë inspektuar të gjithë zonën në majën e malit, që nga Qafa e Prushit e deri në Vlahën, në një gjatësi prej rreth 20 kilometrash, ku siç tha Lala, mund të ndërtohen mbi 200 aerogjeneratorë, apo mullinj të erës, siç thirren ndryshe. Duke iu referuar disa projekt-ideve që italianët i kishin diskutuar me pushtetin vendor, secili nga mullinjtë e erës do të prodhonte 2.5 mega energji elektrike, një sasi shumë e madhe për rajonin e verilindjes dhe Kosovën. I gjithë Rrethi i Hasit konsumon pak më shumë se 4 mega energji elektrike në 24 orë. Sipas zotit Lala, "në përfundim të investimit, dy shtylla aerogjeneratorë do t‘i lihen në dispozicion Hasit". Burime nga Këshilli i Qarkut të Kukësit tregojnë se edhe më parë, investitorë italianë kanë udhëtuar në zonë për të njëjtin qëllim dhe se në pranverën e vitit të ardhshëm pritet të aktualizohen disa nga projektet e propozuara.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›