Propagandë fetare në shkollën publike
Kryeipeshkvi i Shkodrës, imzot Anxhelo Masafra, bën propagandë fetare në shkollën publike të mesme të Bushatit. "Fiks Fare" transmetoi dje pamje nga një takim i kryeipeshkvit të Shkodrës me nxënësit e shkollës së mesme të Bushatit. Në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, drejtoresha e shkollës së mesme të Bushatit lejon që të bëhet propagandë fetare. Madje vetë drejtoresha përpara shkollës i uron mirëseardhjen kryeipeshkvit të Shkodrës dhe duke folur në emër të nxënësve që ndodhen në oborrin e shkollës, e konsideron vizitën e tij një shenjë respekti dhe mirënjohjeje. Më pas, fjalën e merr vetë kryeipeshkvi i Shkodrës, imzot Anxhelo Masafra, i cili mban një fjalim për fenë përpara nxënësve të veshur me uniformën e shkollës. Gazetari i "Fiks Fare" shkon në shkollën publike të Bushatit dhe në përpjekje për të marrë një përgjigje zyrtare nga drejtoresha në lidhje me këtë vizitë, mori një përgjigje kontradiktore. Drejtoresha e shkollës së mesme të Bushatit, zonja Pëllumbesha Dheshi, duke u përpjekur që t‘i shmanget pyetjes së gazetarit dhe duke vrapuar në oborrin e shkollës për të gjetur një mënyrë largimi nga shkolla, herë mohon praninë e kryeipeshkvit të Shkodrës në ceremoninë e organizuar në oborrin e shkollës në nder të tij dhe herë e pohon. Sipas saj, nuk ka asgjë të keqe sepse ai shpërndau diçka për paqen. Pastaj thotë se nuk e kupton pyetjen se në shkollën që ajo drejton nuk ka ardhur asnjëherë kryeipeshkvi i Shkodrës, imzot Masafra. Në fund fare, përgjigjen e saj zyrtare për këtë shkelje të Kushtetutës, ajo e mbyll me justifikimin se "ishte një shembull për mirë". Ndërsa kryetari i Komunës së Bushatit, zoti Zef Hila, pohon se është vënë në dijeni që ka ardhur arqipeshkvi i Shkodrës në kuadër të vizitës baritore që zhvillohet një herë në pesë vjet. Meqenëse kjo vizitë bëhet kaq rrallë, Komuna e Bushatit ndihet e nderuar që lejon aktivitetet fetare në oborrin e shkollës publike.