Sëmundja rrezikon të zhdukë dhjetëra hektarë me pisha
Dhjetëra hektarë me drurë pishash në pjesën lindore të minierës së Bulqizës dhe fshatin Dragu në Komunën Fushë-Bulqizë, po shkojnë drejt zhdukjes. Prerjet e paligjshme dhe zjarret sidomos në verën e vitit të kaluar i kanë reduktuar ndjeshëm sipërfaqet e mbetura me drurë pishe. Por edhe kjo sipërfaqe prej dhjetëra hektarësh me pisha po shkon drejt zhdukjes së plotë, pasi pemët rezultojnë të prekura nga sëmundja e "proçesionares" ose thënë ndryshe në gjuhën popullore "vemjes". Nga këto dhjetëra hektarë, rreth tetë hektarë ndodhen në pjesën lindore të minierës së kromit, vetëm pak metra larg Drejtorisë së Shërbimit Pyjor Bulqizë. Burime nga kjo drejtori konfirmojnë për "Shqip" se nuk disponojnë fondet e duhura për të luftuar infeksionin në këto sipërfaqe pyjore. Sipas shefit të policisë pyjore, Bajram Bodini, këto sipërfaqe pyjore, në bazë të vendimeve të qeverisë, kanë kaluar në varësi të pushtetit lokal. Por kjo kundërshtohet nga sekretari i Komunës Fushë-Bulqizë, Asllan Daxha, i cili thotë se ende këto sipërfaqe pyjore nuk kanë kaluar nën administrim komunal, pasi procedurat për një kalim të tillë vetëm sa kanë nisur. Kryeinxhinieri i Ndërmarrjes Pyjore, Shkëlqim Hasa, thotë se luftimi i sëmundjes infektive të proçesionares, po qe se nuk kapet që në fillimet e saj, është shumë i vështirë, pasi spërkatja me helme e sipërfaqeve të prekura mund të bëhet vetëm me anë të avionëve. Ndërsa po u kap shpejt ajo mund të bëhet edhe me prerje të degëve të infektuara dhe djegien e tyre, fazë kjo që për sipërfaqet tona të infektuara nuk mund të përdoret, pasi infeksioni ka përfshirë të gjitha degët e pishave.