E Diel, 1 Nëntor 2026

Spitali i Korçës mbetet pa skaner

Për një ekzaminim me skaner, pacientët e zonës juglindore do të harxhojnë më shumë para. Për shkak të dëmtimit të aparatit të skanerit, i cili nuk funksionon prej dy muajsh, tashmë pacientët e interesuar për këtë shërbim duhet t‘i drejtohen kryeqytetit ose në rast të kundërt klinikave private. Edhe pse kjo i kushton shumë shtrenjtë një pacienti në zonën juglindore, dëmtimi i radhës i skanerit ka bërë që, pavarësisht nga kërkesat e shumta për këtë shërbim pranë spitalit civil të Korçës, kjo të mos ofrohet. Drejtori i spitalit, Gjergji Denasi, bëri të ditur se kërkesat janë shumë të larta, por fatkeqësisht të sëmurëve nuk mund t‘u ofrohet sërish ekzaminimi nëpërmjet kësaj pajisjeje, pasi nga ana e firmës që ka në mirëmbajtje skanerin, sipas një kontrate, për të disatën herë ka pasur një indiferencë dhe mungesë përgjigjeje për të konfirmuar kryerjen e ndërhyrjeve për riparimin e defektit. Drejtori i spitalit deklaron se një defekt i radhës e ka nxjerrë atë jashtë përdorimit, ndërsa dëmi ende nuk është përllogaritur, pasi edhe pse skaneri është hapur, nuk dihet teknikisht se ku qëndron problemi me mosfunksionimin e tij. Nga ana tjetër, pjesët e kësaj pajisjeje janë shumë të shtrenjta dhe firma që e ka në mirëmbajtje këtë pajisje, edhe pse është njoftuar pasi ka marrë përsipër mirëmbajtjen dhe riparimin e defekteve, nuk ka kthyer asnjë përgjigje. Skaneri i spitalit civil të Korçës u vu në punë në muajin prill të këtij viti, pasi kishte qëndruar për më shumë se katër vjet pa asnjë funksion në repartin e urgjencës, për faktin se kishte një defekt në memorie. I njëjti problem është rikthyer kur pasi ka skaduar afati i parë i kontratës së mirëmbajtjes, është dashur një investim për të realizuar edhe ndërhyrjen në pajisje. Po skaneri ka punuar vetëm për pesë muaj dhe më pas ka pësuar një defekt të rëndë, që e ka nxjerrë jashtë përdorimit. Drejtori i spitalit, Gjergji Denasi, tregon se si skaneri në këtë spital nuk ka funksionuar asnjëherë për një periudhë të gjatë që nga instalimi në vitin 2004 për shkak të defekteve të vazhdueshme. "Që nga instalimi i kësaj pajisjeje të rëndësishme për ekzaminimin e sëmundjeve, ky skaner nuk ka punuar asnjëherë për një periudhë të gjatë kohore. Ai është përdorur gjithnjë përkohësisht në periudha shumë të shkurtra dhe ka pësuar disa herë defekte që kanë bërë të pamundur ofrimin e këtij shërbimi për të gjithë pacientët e zonës juglindore të vendit. Në një kohë kur ka edhe shumë kërkesa për këtë pajisje, pasi lehtëson pacientët në lidhje me shpenzimet dhe nga ana tjetër i ndihmon për të identifikuar në mënyrë shkencore sëmundjet, ne kemi kontaktuar disa herë me firmën, pasi kjo është e vetmja pajisje që është në mirëmbajtje sipas një kontrate, por firma ka shmangur dhe vonuar ndërhyrjen, ndërsa kontrata skadon në fund të këtij viti", është shprehur Denasi. Sipas drejtorit të spitalit, ky shërbim i specializuar për identifikimin e sëmundjeve mungon dhe skaneri është kthyer sërish në një aparat që, edhe pse ekziston në ambientet e spitalit, është lënë i kyçur për shkak të defektit. Skaneri i tipit spiral i markës "Philips" i ka shërbyer komunitetit të zonës vetëm për pak muaj në katër vjet. Nga dëmtimi i memories, ai ka qëndruar në repartin e urgjencës pa asnjë funksion, ndërsa në momentet e punës mund të kryejë deri në 20 ekzaminime në ditë. Ky aparat ka kushtuar 44 milionë lekë dhe u ble me fonde të qeverisë shqiptare për t‘u vënë në spitalin e ri pas rindërtimit të tij. Në vitin 2005, u bënë disa prova për vënien në punë të skanerit, por pasi ishte dëmtuar memoria, aparati nuk mund të funksiononte. Pas tre vjetësh, ai u vu në punë në prill të këtij viti për t‘u prishur sërish dy muaj më parë nga një tjetër defekt.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›