E Diel, 1 Nëntor 2026

NBA San Antonio humbje te rende 97 me 137 ne fushen e Portlendit

Kishte 15 vjet që nuk e pësonte një humbje të tillë dhe aq më pak e besonte se mund t’i ndodhte ndërsa po i fitonte ndeshjet njërën pas tjetrës. San Antonio pësoi një disfatë të përmasafe katatrofike në fushën e Portlendit në NBA, me 40 pikë diferencë, 97-137 përballë Trejl Blejzërsave, humbje që erdhi pas 11 sukseseve rresht.
Vendasit u shkëputën që në fillim për të mos u arritur më, ndërsa nuk ishte vetëm një, por disa lojtarë që patën meritën për këtë triumf. Plot 7 basketbollistë shënuan mbi 10 pikë, ndërsa skuadra mike vuajti mungesën e të dëmtuarit Manu Xhinobili, por edhe lënien në stol të Toni Parkerit e Tim Dankënit. Kjo ishte humbja më e rëndë e San Antonios që nga disfata 69-111 ndaj Çikago Bullsave të Majkëll Xhordanit më 1997.
Pretendentja e madhe, Majemi, shënoi gjithashtu shumë pikë në fitoren 120-108 ndaj Sakramentos në Florida. Këtë herë, më i miri për fituesit ishte Duejn Uejd që shënoi 30 pikë, ndërsa Lebron Xhejms e mori me ngadalë ndeshjen duke shënuar vetëm 18 pikë e duke dhënë 8 asistë. Kris Bosh kapi 10 topa në tabela, ndërsa Uejd udhëhoqi edhe tek asistet me 10 të tillë.
Majemi vazhdon të mbajë vendin e parë në Konferencën Lindore me 26 fitore e 7 humbje, ndjekur nga Çikago me 26-8. Në Perëndim, kryeson Oklahoma me 25 fitore e 7 humbje, ndërsa San Antonio ka bilancin 23-10.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›