E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mund të bisedoni

Zëvendëssekretari Amerikan i Shtetit, James Steinberg, ka deklaruar të enjten se, pavarësisht dallimeve për çështje të mëdha politike, Prishtina dhe Beogradi mund të bashkëpunojnë në fusha të caktuara në mënyrë pragmatike.

Steinberg është zyrtari më i lartë në administratën e Obama’s që ka qëndruar në Kosovë, pas vizitës së Zëvendëspresidentit Biden vitin e kaluar.

Numri dy i Departamentit amerikan të Shtetit për disa ditë ka qëndruar në rajon, duke filluar me vizitën në Slloveni e duke e përmbyllur me Kosovën.

Ai ka ardhur në Prishtinë nga Beogradi, ku ka takuar zyrtarë të lartë shtetërorë me të cilët ka biseduar edhe për Kosovën.

Të enjten Steinberg ka takuar Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe Kryeministrin Hashim Thaçi, pas një takimi të shkurtër me Ministrin e Jashtëm, Skënder Hyseni.

Diplomati amerikan që para nisjes në Europë ka folur për nevojën e një dialogu mes autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë, të cilin e ka përsëritur edhe në Prishtinë.

I pyetur nëse i ka bindur palët për të filluar bisedime, Steinberg ka thënë se ka hapësirë për dialog mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Kam pasur biseda mjaft produktive me zyrtarë të lartë në Beograd. E kam theksuar rëndësinë që të provojmë të merremi me çështje pragmatike që ekzistojnë dhe mund të ndërmerren hapa në nivel pragmatik për të inkurajuar një ambient të përmirësuar mes Serbisë dhe Kosovës, duke njohur faktin se në disa çështje, në veçanti rreth statusit politik, ka ende shumë mospajtime. Por, ka interes të përbashkët në ballafaqimin me problemet si krimi, korrupsioni, siguria apo doganat ku mund të ketë progres. Dhe unë kuptova nga këta zyrtarë se ka hapësirë për progres në disa nga këto çështje, edhe pse dallimet politike mbesin”, ka thënë ai pas takimeve me Presidentin Sejdiu dhe Kryeministrin Thaçi.

Liderët e vendit nuk kanë thënë asnjë fjalë rreth bisedimeve me Serbinë, por kanë ritheksuar se angazhohen për fqinjësi të mirë edhe me Beogradin.

Steinberg nuk ka dhënë asnjë detaj tjetër rreth negociatave eventuale mes Kosovës dhe Serbisë për të cilat është folur shumë ditëve të fundit.

“Ne presim që të punojmë me ju që të ballafaqohemi me këto sfida për të tejkaluar vështirësitë që vazhdojnë të mbesin mes jush dhe Serbisë. Pavarësisht këtyre dallimeve, ne fuqishëm përkrahim të ardhmen e Serbisë si pjesë e komunitetit europian dhe duam të shohim këtë të ardhme që i shtynë përpara të gjitha vendet e rajoni”, ka porositur ai.

Por, zyrtari i lartë amerikan bashkë me liderët e vendit ka folur për nevojën e luftimit te korrupsionit dhe krimit të organizuar, me të cilat, sipas tij, ballafaqohet edhe Kosova edhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Jam i inkurajuar nga ato që kam dëgjuar sot nga Presidenti dhe Kryeministri për ndërtimin e institucioneve të fuqishme dhe të afta për të ofruar qeverisje të mirë dhe transparente për qytetarët tuaj, për të siguruar se sundimi i ligjit mbizotëron mbi të gjitha dhe që të ballafaqoheni me një rrezik negativ për të cilin Kryeministri foli në veçanti rreth nevojës për të luftuar korrupsionin, që ka një impakt negativ për të ardhmen tuaj”, ka thënë ai.

I pyetur rreth raportit të Departamentit amerikan të Shtetit, në të cilin Kosova dhe Shqipëria përshkruhen si zonë kontrabande e drogës dhe e krimit të organizuar, Steinberg ka thënë se kjo përbën një sfidë të veçantë.

“Është kritike për të ardhmen tuaj, për t’u marrë me këtë sepse ju kurrë nuk mund të keni një sukses ekonomik nëse këtë nuk e largoni. SHBA’të dhe bashkësia ndërkombëtare janë të përkushtuar që punojnë me ju, jo vetëm pse brengosemi për ju, por sepse kjo na afekton edhe ne”, ka thënë ai.

Për këtë çështje ka komentuar edhe Kryeministri Thaçi, i cili ka theksuar se qeveria është e përkushtuar që të luftojë këto dukuri.

“Për ne ka qenë dhe do të mbetet moto zero tolerancë edhe për keqmenaxhim edhe për korrupsion edhe për krim të organizuar. Ky është përkushtim i plotë i qeverisë dhe të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës për sundimin e ligjit”, ka thënë Thaçi.

Steinberg, bashkë me Zëvendës ndihmës-sekretarin amerikan të Shtetit, Stewart Jones, ka vizituar edhe Manastirin e Graçanicës, ku ka biseduar për disa minuta me priftërinjtë ortodoksë e më pas ka takuar dhe kryetarët e tri komunave të reja serbe.

Steinberg të enjten në Beograd ka takuar Presidentin e Serbisë, Boris Tadic, i cili i ka thënë diplomatit amerikan se pavarësia e Kosovës është “vijë e kuqe, të cilën Serbia asnjëherë nuk do ta kalojë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›