Mund të tërhiqemi
Kosova mund të tërhiqet nga dialogu teknik, nëse pala serbe nuk zbaton marrëveshjet.
Por, vendimi i Prishtinës për të ndërprerë dialogun me palën serbe do të varet krejtësisht nga këshillat që do të japin zyrtarët e BE’së dhe ata të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Këtë paralajmërim për mundësinë e largimit të Kosovës nga bisedimet me Beogradin e ka bërë shefja e delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri.
Zëvendëskryeministrja ka thënë për Express se Qeveria e Kosovës është e përgatitur për të vepruar edhe nëse pala serbe vazhdon të mos jetë konstruktive në dialog.
“Në qoftë se do të shihet se pala serbe nuk është produktive dhe bashkëpunuese, ne si palë në këto biseda, flasim me faktorin ndërkombëtar për të analizuar së bashku arsyeshmërinë e vazhdimit apo mosvazhdimit të dialogut. Mirëpo, ne vetëm nuk do të marrim vendim për tërheqje sepse aty jemi me aleatët tanë BE dhe SHBA’në”, ka thënë Tahiri për Express, të premten.
“Prandaj, në koordinim me BE’në dhe SHBA’të do të ndërmarrim hapat e mëtejmë në rast të ballafaqimit me dekonstruktivitetin apo mosbashkëpunimin e Serbisë”, ka shtuar ajo.
Megjithëkëtë, Tahiri beson se pala serbe do t`u bindet presioneve të BE’së për të vazhduar dialogun e mbetur në gjysmë, por ende nuk është caktuar se kur do të rifillojnë bisedimet.
Shefja e delegacionit të Kosovës është kundër çdo diskutimi për çështjen e veriut dhe pikave doganore. Ka thënë se as faktori ndërkombëtar nuk mund të dalë me ndonjë propozim për të diskutuar për çështjen e brendshme të Kosovës për shkak të kornizave ligjore të Kosovës dhe të OKB’së.
“Jo, nuk mund të ketë asi dalje nga ana e z. Cooper sepse vetë z. Cooper dhe gjithë struktura e BE’së, Baronesha Ashton ia kanë bërë me dije Serbisë se presin kthimin e Serbisë pa kushte në dialogun teknik. BE e ka të qartë se edhe në kohën e administrimit ndërkombëtar ka qenë një zonë unike doganore.
Ajo i ka quajtur demagogji deklaratat e Borko Steafnocivit se Serbia po bisedon me ndërkombëtarët për dy pikat doganore të Kosovës.
“Nga ana e palës serbe nuk po ndalen përpjekjet për të imponuar tema politike në dialogun teknik, përfshirë edhe çështjen e pikave doganore. Mirëpo, Serbia e ka të qartë në vazhdimësi qëndrimin tonë se për çështjet e brendshme dhe për çështjet politike ne si Qeveri e Kosovës asnjëherë nuk do të bisedojmë. Edhe faktori ndërkombëtar vazhdimisht e ka refuzuar kërkesën e Serbisë për të imponuar çështjen e pikave doganore në dialog”, ka deklaruar Tahiri.
Tahiri ka adresuar një porosi edhe për bashkëbiseduesin e saj serb.
“Kjo që po e bën pala serbe dhe z. Stefanovic, për mendimin tim, është më tepër një marketing politik për nevoja të brendshme politike. E njëjta retorikë fjalësh ka qenë edhe në shtator, kur afrohej raundi i shtatë. Vazhdimisht ai e ka mbajtur publikun me një demagogji të tillë dhe mendimi im është se sa më parë që Serbia vetëdijesohet të kthehet pa kushte në dialog, sigurisht mund të sigurojë një perspektivë më të mirë evropiane”, ka shtuar ajo.
Sipas Tahirit, qëndrimet e tilla të palës serbe bien në kundërshtim me parimet e BE’së dhe se zbatimi i marrëveshjeve është kusht për të dyjave vendet për të ecur drejt Unionit.
“Kemi kërkuar që 20 nëntori të jetë data e fundit e përfundimit të planeve për implementimin e marrëveshjeve si dhe do të fillojë zbatimi i tyre i menjëhershëm”, ka shtuar ajo.
Ajo ka sqaruar edhe deklaratat se më një nëntor do të largohen tabelat e vjetra të Serbisë që qarkullojnë në Kosovë. Tash ka thënë deri në fund të vitit do të zgjatë tranzicioni i zbatimit të marrëveshjes.
“Me datën një nëntor fillon implementimi i vetëm një pjese të marrëveshjes e ajo është lodhur me heqjen nga përdorimi të tabelave ilegale dhe zëvendësimin e tyre me tabela legale në Kosovë. Pjesa tjetër e marrëveshjes kam thënë se nuk ka një datë të zbatimit.
Më një nëntor ka filluar zbatimi i marrëveshjes, pra, në emër të një mirëkuptimi dhe ne u kemi dhënë dy muaj kohë që të ndodhë ky kalim në tabelat e Kosovës KS ose RKS. Pas datës 31 dhjetor sigurisht se mund të përdoret periudha e tranzicionit”, ka shtuar ajo.