E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mundesi studimi ne France

Studentët dhe maturantët shqiptarë të cilët dëshirojnë të vazhdojnë studimet në Francë për vitin akademik 2012/2013-të, kanë pasur mundësi të marrin informacion në panairin e oranizuar nga Universitetet Franceze.

Studentët kanë shfrytëzuar ditët udhëtuese studentore 2011, në panairin që u organizua sot në Hotel Sheraton nga Ambasada e Francës në Shqipëri, Instituti Francez i Bullgarisë, Instituti Francez i Shkupit, Instituti Francez i Serbisë me pjesëmarrjen e Agjensisë CampusFrance, Paris.

Kjo ditë është një mundësi e përsosur që studentët të bashkëbisedojnë për përgatitjen sa më mirë të vitit shkollor 2012/2013, si dhe për t’u takuar me drejtues të universiteteve.

Franca i tërheq studentët duke ofruar formime të shumëllojshme, të një niveli të lartë dhe të përballueshme ekonomikisht, në universitet publike. Për më tepër, studimet mund të kryhen edhe në kuadër të parneriteteve bilaterale, duke qenë se Franca është vendi i projektit pilot për procesin e Bolonjës lidhur me diplomat e dyfishta apo diplomat shtesë.

Objektivat e Panairit Studentor 2011 janë dhënia e një informacioni sa më të gjerë për studimet në të gjitha nivelet në Francë, orientim i kandidatëve, zgjedhje e formimeve dhe universiteteve, informacion mbi mundësitë e financimit të projektit të studimeve, shpjegim i procedurave të pranimit dhe regjistrimit, si dhe informacion për cilësinë e pritjes së studentëve në Francë dhe vendet fqinje.
Pjesëmarrës në panair ishin universitetet franceze të Bordosë, Orleanit, Versajës, Universiteti bregdetar në veri të Francës, kolegji universitar i shkencave politike, Kampusi Europian- Europa Qendrore dhe Lindore në Dizhon, Shkolla Qëndrore e Nantës, Instituti Kombëtar i shkencave të zbatuara(INSA) Ruen, rrjeti i Instituteve inxhinierike N+I, HEC – ESCP, etj.

Franca është vendi i 6-të pritës për studentët shqiptarë, ndërsa 600 studentë ndjekin sot studimet atje. Shumë prej tyre janë me bursë nga Ambasada e Francës në Shqipëri apo nga Agjensia Universitare e Frankofonisë.

Ndërkohë, marrëveshje bashkëpunimi janë lidhur mes: Institutit Francez të Administrimit (Universiteti Politeknik i Tiranës) dhe Universitetit Bordo IV (Bordeaux), Fakultetit të Drejtësise në Tiranë dhe Fakultetit të Drejtësisë Bordeaux IV, Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë dhe ESTP Paris, Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Tiranës dhe Universitetit “Blaise Pascal”, në Klerman Ferran (Clermont-Ferrand) dhe Universitetit të Strasburgut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›