E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shëmtia e protagonizmit

TIRANE - Të bëhesh dikushi këtë duhet ta meritosh me punë dhe rezultate. Por, tek disa ndodh që duke qenë askushi, megjithatë ata bëjnë të gjitha përpjekjet, në të shumtën e herës djallëzore, vetëm e vetëm për të dalë në skenë dhe pastaj për ta zotëruar atë. Kjo është një dukuri e përjetshme, por që në ditët tona, në kushtet e një informacioni dhe teknologjie marramendëse dhe të sofistikuar mediatike, ajo ka marrë përmasa shpërfytyruese. E gjitha kjo sot lidhet me të ashtuquajturin protagonizëm, shfaqje që ka arritur deri në e mërzitshme, për të mos thënë e neveritshme, sa herë që na vihet përballë, sidomos nëpër faqe gazetash dhe ekrane televizionesh. Në këtë rast, më shumë se një sfidë ndaj vetes, lufta bëhet për t'ju imponuar të tjerëve nëpërmjet strategjive dështake. Nuk do shumë mend për t'u kuptuar se mundësitë e arritjes së këtyre synimeve egoiste dhe sharlataneske, shpesh inkurajohen nga elementë, gjithashtu të mbrujtur nga të njëjtat interesa.
Një shfaqje e tillë protagonizmi është vënë re në këtë dekadë të fundit për sa i përket trajnerëve të huaj që kanë drejtuar përfaqësuesen e futbollit tonë. Duke i zgjedhur këta trajnerë, sikur të ishin ata "shkopi magjik" që do ta ndryshonin sa hap e mbyll sytë gjendjen e futbollit tonë mjeran, mbështetësit e këtij "projekti", gjatë gjithë kësaj kohe nuk kanë bërë gjë tjetër veçse na kanë përplasur në surrat protagonizmin e tyre ekstrem, në të njëjtin kohë mjaft dështak. Deklaratat e pafundme spekulative, deri në mërzi, për synime të tilla që, me demek, do të kapnin edhe finale europiane dhe botërore(!?), në fakt e kanë kryer efektin e tyre, por në kah të kundërt, sepse ja kanë çjerrë në të vërtetë maskën atij protagonizmi, frytet e kalbura të të cilit u panë edhe në rastin e kroatit Kuzhe, që ashtu si paraardhësit e tij u largua duke na dhuruar një prej vendeve të fundit në renditje.
E keni vënë re besoj se si, duke dashur të na mbushin mendjen me paudhësitë e tyre, këta "protagonistë" e përgatisin me kohë terrenin duke pretenduar se kështu, hap pas hapi, do të mund të krijojnë një imazh ndryshe nga ai që në fakt përbën identitetin anonim që ata kanë në të vërtetë. Kështu, p.sh, kur erdhi Kuzhe në drejtim të Kombëtares, u rrethua me një aureolë false prej atyre që e sollën, ndërkohë që ai vetë pranonte që në fillim se një nga pasionet e tij në jetë ishte të luajturit nëpër... kazinotë dhe sallonet e basteve! Sikur të mos mjaftonte kjo, "protagonizmi" i Kuzhes, prej disave që i krihnin bishtin atij dhe sidomos bosëve që e inkurajonin atë, u fry pa reshtur edhe pse lëvizjet e tij në fushën... e lojës nuk ishin aspak të suksesshme, për gjatë gjithë kohës. Nuk është e nevojshme t'u rikthehemi argumenteve tashmë të njohura për gabimet e tij që kanë si finale humbjet rresht që e hodhën atë nokaut, por të vazhdoje ta ngrije në qiell një trajner të tillë i cili edhe ndaj Luksemburgut luante po me atë formacion që i kishin lënë vite më parë paraardhësit e tij, kjo më shumë se miopi duhet të ketë qenë një protagonizëm i shëmtuar i njerëzve delirantë dhe aspak profesionistë që gati e kthyen në kult kroatin e dështuar Kuzhe.
Edhe pse ndeshjet miqësore ishin të mjaftueshme për të eksperimentuar e vënë në jetë taktika apo strategji të ndryshme që në fund të fundit përbëjnë edhe fizionominë apo filozofinë e një trajneri, Kuzhe nuk i shfrytëzoi aspak ato, ose më mirë të themi se, i përdori ato për qëllime të tij meskine, për të krijuar imazh të rremë, nëpërmjet një protagonizmi artificial. Se në fund të fundit, sa na shërbyen ne ato rezultate që arriti ky kroat, kur kundërshtarët në këtë rast nuk humbnin asgjë, përkundrazi, veçse eksperimentonin dhe hidhnin në fushë ide të reja që ja panë hajrin në përfundim të ndeshjeve eliminatore të Euro 2012. E patë se çfarë formacioni të brishtë paraqiti Kuzhe në një stadium si ai i Parisit, mbushur me 80 mijë spektatorë, kur ata djem të talentuar si Roshi, nuk kishin provuar kurrë më parë ta vishnin fanellën e Kombëtares!? E pse duhej ta bënte këtë, t'i vinte në pozitë aq të vështirë këta djem të rinj përballë yjeve francezë, kur ndeshjet miqësore i pati të shumta dhe të mjaftueshme për t'i provuar? Ishte e qartë dhe më se e kuptueshme se, ai e luajti këtë rol që, nëpërmjet atyre "fitoreve" pa mund, pa krijimtari dhe pa asnjë të ardhme, të krijonte një protagonizëm të tij, edhe pse i shëmtuar, që në fakt i shërbeu për një farë kohe, por që në fund të fundit vërtetoi se ishte krejt në kundërshtim me shpresat dhe iluzionet e dërmuara keq të të gjithë shqiptarëve.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›