E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urdhri i Mjekut, 20 ankesa të pacientëve për mjekët



Pacientët kanë ankimuar rreth 20 ankesa për mjekët pranë Urdhrit të Mjekut. Mjekët janë vënë nën shënjestrën e pacientëve, ku këta të fundit i akuzojnë se nuk i kanë kuruar siç duhet dhe për më tepër u kanë lënë pasoja në gjendjen e tyre shëndetësore. Urdhri i Mjekut ka regjistruar të gjitha ankesat dhe aktualisht po merret me shqyrtimin e çështjes për të parë situatën nëse mjekët kanë zbatuar punën e tyre apo pretendimet e pacientëve janë të kota. Ankesat e depozituara janë kryesisht për mjekët stomatologë dhe okuliste. Rastet janë nga më të ndryshmet, në të cilat pacientët pretendojnë se u ka ikur shikimi pasi mjekët nuk kanë bërë mirë operacionin. Ndërsa në rastin e stomatologëve pacientët pretendojnë se mjekët u kanë shkaktuar probleme me dhëmbët gjatë kurimit si dhe kanë ankesa për materialin e vendosur në rastin e protezave. Burime nga Urdhri i Mjekut sqarojnë se problemet vijnë pasi një pjesë e madhe e klinikave private stomatologjike dhe okulistike janë të palicencuara dhe punojnë në të zezë. Duke punuar në këtë mënyrë, klinikat nuk janë të kontrolluara nga specialistët e shëndetësisë.

21 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›