E Diel, 1 Nëntor 2026

Debate pa akord për Superioren me 10 skuadra

Altin Manallari

Dështon konsensusi i klubeve në takimin konsultues para mbledhjes së sotme të KE

Në këtë mbledhje nuk munguan as debatet e ashpra apo edhe sharjet me karakter personal, që dukshëm tregoi se konsensusi mes palëve është thuajse i pamundur

Altin Manallari

Një kampionat me dhjetë skuadra dhe “fair-play” financiar. Ky është një nga propozimet e mbështetura të paktën nga klubet më të mëdha të Kategorisë Superiore, që janë mbledhur mesditën e së hënës në Federatën Shqiptare të Futbollit në lidhje me ndryshimin e strukturës së kampionatit, duke nisur nga sezoni 2013-2014.

Aktualisht Superioria përbëhet nga 14 skuadra, që përballen mes tyre në dy faza, ndërsa ndryshimi i strukturës synon të rrisë më shumë cilësinë e kampionatit. Megjithatë klubet janë shfaqur të përçara dhe nuk ka qenë e mundur të gjejnë konsensusin. Madje në këtë mbledhje nuk munguan as debatet e ashpra apo edhe sharjet me karakter personal, që dukshëm tregoi se konsensusi mes palëve është thuajse i pamundur. “Pati edhe tone, pati edhe debate. E përgjithshmja dhe e rëndësishmja është që ne të gjithë synojmë të kemi një garë të ndershme, të ketë një garë korrekte, e mbi të gjitha meqenëse klubet janë kthyer në shoqëri aksionere, duhet të mbizotërojë dhe “fair-play” financiar. Në këto kushte edhe ekipi i Flamurtarit, si shumica e ekipeve të tjera, ka dhënë konsensusin që kampionati i vitit të ardhshëm, 2012-2013, të zhvillohet me dhjetë ekipe”, deklaroi presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika. Në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura, nuk kanë munguar edhe debatet, si dhe kundërshtimet e klubeve të vogla të futbollit shqiptar, të cilët rrezikojnë më shumë nëse Superioria tkurret me dhjetë ekipe. Unë nuk e di çfarë do federata me në krye zotin Duka. Kjo na duket si farsë, i zoti i shtëpisë na fton në dasmë dhe nuk vjen vetë. Kjo mbledhje nuk do të vlejë shumë, sepse dihet se si do të shkojë muhabeti, pasi KE bën me kokën e vet. Unë vetë jam pro 10-shes. Dihet se që kur është futur Skënderbeu në lojë, Dukën e kanë marrë peng presidentët. Duke e parë se si po shkojnë gjërat, Duka duhet të japë dorëheqjen, sepse është bërë i pështirë, polemizoi presidenti i Besës, Nexhat Bizdili. Megjithatë insistues është mendimi për ndryshimin e strukturës së Superiores nga 14 në 10 skuadra. Në rast se do të miratohet skema e sezonit 2012-2013, do të jetë: 5 skuadra bien direkt nga Superioria dhe vendi i 9 do të duhet të luajë në të dytën e Kategorisë së Parë. Mbledhja e aktorëve të futbollit shqiptar kishte vetëm vlera konsultuese, pasi vendimi për ndryshimin e strukturës së kampionatit do të merret nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së.

Debate pa akord për Superioren me 10 skuadra burimi: Gazeta Shqip

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›