Rekomandimet e Bankës Botërore: Ulni borxhin, kujdes politikat fiskale
Ervin KOÇI
“Qeveria shqiptare të përdorë politika të kujdesshme fiskale për të garantuar qëndrueshmëri të ekonomisë në vend”. Kjo deklaratë u bë dje nga Drejtoresha e Lartë e Bankës Botërore, Ngozi Okonjo Iweala, në një konferencë të përbashkët për shtyp në Tiranë me kryeministrin Sali Berisha. Sipas përfaqësueses së lartë të BB, Shqipëria duhet t’i përmbahet kuadrit të borxhit publik dhe të mundohet ta ulë atë borxh, ose ta ruajë atë në nivelin që ka. “Duke qenë se Shqipëria është një vend me të ardhura të mesme - tha Iweala,- qeveria shqiptare duhet të ketë kujdes nga vendet që kanë fuqi blerëse më të madhe. Shqipëria duhet të gjejë mundësinë të jetë në krye të tyre”. Pjesë e bisedës ka qenë dhe situata makroekonomike. BB-ja e ka vlerësuar brenda parametrave prej 60 për qind borxhin, por këshillon ulje të mëtejshme. Ajo tha se zhvillimi ekonomik i vendeve europiane gjatë viteve të ardhshme do të jetë me nivele të ulëta, e prandaj edhe ndihma parashikohet të jetë më e pakët, duke i lënë porosi palës shqiptare që të ndjekë me rigorozitet dhe kujdes planin e masave fiskale. Ritmet e rritjes ekonomike gjatë viteve të fundit gjithashtu janë vlerësuar si një arritje e vendit.
Rritja ekonomike
Sipas përfaqësueses së BB-së, Iweala, është fakt se zhvillimi i Shqipërisë ka qenë i dukshëm dhe se ky ritëm, e rendit ndër vendet kryesore të Europës Lindore. “Shqipëria arriti që ta përballojë shumë mirë krizën ekonomike, duke shënuar një rritje ndërsa shumë vende u prekën prej saj”,- tha Iweala. Sipas saj, “është fakt se zhvillimi i Shqipërisë ka qenë me rritje prej 6% nga viti 1998 në vitin 2008 dhe ky ritëm zhvillimi e rendit ndër vendet kryesore të Europës Lindore. Si rrjedhojë e kësaj, Shqipëria tashmë i takon grupit të vendeve me të ardhura të mesme të larta. Unë e urova Kryeministrin Berisha për këtë arritje të rëndësishme të popullit shqiptar”. Në vlerësimin e saj, ritmi i zhvillimit në 20 vite është i jashtëzakonshëm ndërsa Shqipëria shënoi një përballje shumë të mirë me krizën globale. Banka Botërore theksoi se mbetet një partner për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë.
Ecuria e projekteve
Drejtoresha e Lartë e Menaxhimit të BB-së, numri dy i këtij institucioni pas presidentit Zellik, pranoi në Tiranë se fondet që banka jep për Shqipërinë kanë pasur probleme me disbursimin, çka pengon projektet e reja. “Është e vërtetë se Shqipëria dhe Banka Botërore duhet të punojnë fort që të sigurojnë se portofoli aktual që ne kemi prej 15 projektesh të disbursohet sa më shpejt të jetë e mundur, sepse nuk ka kuptim që të shtohen projekte të tjera kur ata që janë disburoshen ngadalë. Kjo është një gjë që ne e kemi diskutuar me ministrin e Financave për të bërë të mundur një disbursim të shpejtë të kredive”,- ka deklaruar Iweala. Por kryeministri Sali Berisha nuk e sheh këtë si problem. Edhe pse pranon se ka disa vonesa, Berisha i quan ato thjesht pasojë e burokracive, sipas tij, të nevojshme. “Jo më larg se 80 kilometra nga qendra e Tiranës do të fillohet një autostradë, ndër më të rëndësishmet e rajonit. Segmentin e saj, Milot-Rrëshen, e kemi të financuar nga Banka Botërore. Ju do gjeni qindra metra rrugë të financuara nga BB”,- ka deklaruar Berisha. Kredia e fundit e miratuar për Shqipërinë daton në maj të vitit 2009 dhe është ajo për privatizimin e OSSH-së. Sipas të dhënave të vetë BB-së, shumica e projekteve në Shqipëri po ecin ngadalë dhe janë prapa afateve. Ndërkohë, Berisha theksoi se bashkëpunimi në fushën e bujqësisë mbetet një prioritet i padiskutueshëm ndërsa mbajtja e borxhit publik nën 60% është një tjetër synim, kurse deficiti të ruhet në masën 3.5%. “Folëm dhe për situatën makroekonomike, ku unë e garantova përfaqësuesen se rëndësi shumë të madhe ka ruajtja e stabilitetit makroekonomik dhe se qëllimi ynë është që borxhi të mbahet nën 60%, deficiti buxhetor të jetë rreth 3.5% dhe në vitin e ardhshëm”,- tha kryeministri Berisha.
Tab////////////////////////////////////
Parashikimi i rritjes ekonomike sipas ndërkombëtarëve për Shqipërinë në vitin 2011
Nr. Institucioni Rritja ekonomike 2011
1. FMN-ja 3.5%
2. BERZH 3%
3. BB-ja 3%
BOX////////////////////////////////
Banka Botërore, 1 milion dollarë për zonat e përmbytura
Banka Botërore do të ofrojë një ndihmë për zonat e përmbytura në Shkodër, duke financuar projektet e qeverisë për planifikimin e pasfatkeqësisë për mospërsëritjen e tyre. Ndihma e konsiderueshme parashikohet të jetë rreth 1 milion dollarë. Drejtoresha e BB-së për Menaxhimin, deklaroi dje në Tiranë se, në ndihmë të zonave të përmbytura, BB-ja do të akordojë një fond prej 1 milion dollarësh, ndërsa shprehet e gatshme për 22 milionë dollarë në drejtim të sigurisë së sistemit të digave nëse kërkohet diçka e tillë prej qeverisë së Shqipërisë. "Dua të shpreh se me kryeministrin biseduam për situatën në veri të Shqipërisë dhe shpreh simpatinë për përballimin e situatës që u bë nga të dëmtuarit. Ne biseduam me Berishën për shpërndarjen e ndihmave për këta banorë dhe sesi ndihma të shpërndahet sa më shpejt. Folëm dhe për sistemimin e digave në rast se e kërkon qeveria",- deklaroi dje Drejtoresha e Lartë e Bankës Botërore, Ngozi Okonjo Iweala.
Përfaqësuesja e Lartë e Bankës Botërore, Iweala takon Zëvendëskryeministrin Meta
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Ilir Meta takoi dje Drejtoreshën e Lartë të Bankës Botërore, Znj. Ngozi Okonjo-Iweala, e cila ka ardhur në Shqipëri për një vizitë dy ditore. Meta, pasi bëri një panoramë të përgjithshme të zhvillimeve ekonomike në vend, theksoi kontributin e rëndësishëm që BB-ja ka dhenë në zhvillimin e sektorëve kyç të ekonomisë shqiptare, si në: energjetike, infrastrukturë, bujqësi etj. Gjithashtu, Meta vlerësoi se me ndihmën e BB-së, Shqipëria ka kryer reforma strukturore dhe ka përmirësuar ndjeshëm klimën e biznesit. Meta shprehu se qeveria shqiptare dhe dikasteri që ai drejton kanë vullnetin dhe angazhimin e plotë për të çuar më tej bashkëpunimin me BB-në në funksion të financimit të projekteve energjetike, siç është edhe ai për sigurinë e digave. Ministri Meta, kërkoi nga Znj. Iweala që përveç mbështetjes me financimeve të projekteve zhvillimore në arsim, shëndetësi, infrastrukturë etj, qeveria shqiptare do të mirëpriste edhe asistencën teknike në forcimin e kapaciteteve menaxhuese të projekteve nga administrata publike sipas metodave më bashkëkohore të vlerësimit të investimeve. Mbështetja financiare e projekteve energjetike mbetet prioritet për axhendën e BB-së në Shqipëri.
Guvernatori Fullani takon Drejtoreshën e Lartë e Bankës Botërore, Iweala
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani u takua dje me Drejtoreshën e Lartë të Bankës Botërore zj. Ngozi Okonjo-Iweala, në ambientet e BSH-së. Gjatë takimit, u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira midis dy institucioneve, si dhe u inkurajua forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dypalësh. Banka Botërore vazhdimisht ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar BSH-në në zbatimin e projekteve që kanë për qëllim final konsolidimin, modernizimin dhe qëndrueshmërinë e sistemit bankar shqiptar. Më tej, Guvernatori Fullani e ka njohur zj. Iweala, me zhvillimet më të fundit makroekonomike në Shqipëri, me një theks të veçantë në ecurinë e inflacionit, dhe përpjekjet e bëra nga BSH-ja për kontrollin e tij. Guvernatori u ndal dhe në zhvillimet më të fundit në sistemin bankar, dhe punën e realizuar nga BSH-ja për ruajtjen dhe stabilitetin e tij. Zj. Iweala vlerësoi kontributin e BSH-së në sigurimin e stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit. Gjatë vizitës së saj zj. Iweala shoqërohej dhe nga zj. Jane Armitage, Drejtore dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore në BB-ë, si dhe zj. Kseniya Lvovsky, Përfaqësuesja e BB-së në Shqipëri.
Kryeministri Berisha, provon i pari teknologjinë “3G” në kryeqytet
Kryeministri i vendit, z. Sali Berisha kreu dje video-thirrjen e parë zyrtare me Drejtorin e Përgjithshëm të “Vodafone Albania”, z. Haris Broumidis. Kryeministri Berisha përgëzoi kreun e “Vodafone Albania” për fillimin e shërbimeve “3G”, çka ai e vlerësoi një arritje shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët. “Ky është një moment shumë i rëndësishëm në historinë e telekomunikacionit të vendit tim, por gjithashtu është një hap shumë i rëndësishëm në prioritetet dhe përpjekjet tona për Shqipërinë dixhitale. Në një kohë shumë të shkurtër ju arritët të vinit në punë një nga sistemet më moderne të kohëve tona. Ju uroj dhe ju falënderoj shumë për gjithë suksesin tuaj të madh”,- tha Berisha. Drejtori i Përgjithshëm i “Vodafone Albania” i shprehu kryeministrit falënderimin që rezervoi kryerjen e video-konferencës së parë me të. Më tej ai u shpreh se me nxjerrjen në treg të “3G” në Tiranë dhe për 18 muaj në të gjithë territorin e vendit, Shqipëria hodhi një tjetër hap drejt konsolidimit të urave të komunikimit të shoqërisë. "Sot, jemi më afër konceptit të ‘Fshatit Global’ ku largësia fizike është pothuaj se inekzistente dhe sferat sociale zgjerohen më tej. Që sot jemi një komunitet më i bashkuar"- tha Broumidis. Ai u shpreh i lumtur që përpjekjet e “Vodafone Albania” për të ofruar risitë më të fundit teknologjike janë plotësisht të integruara me objektivat e qeverisë për ta futur plotësisht Shqipërinë në epokën dixhitale. Rrjeti “3G” është aktualisht operativ në kryeqytet dhe rrethinat e tij.
11 Janar 2011