E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adoleshentët vjedhin hotelin e pushuesve në Golem

 

KAVAJE - Tre adoleshentë kanë vjedhur dhomat e pushuesve në një hotel në plazhin e Golemit, edhe pas masave që policia ka marrë për sezonin turistik, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të tilla. Njëri nga autorët, 19-vjeçari Ervin Preçi është arrestuar, ndërkohë që policia është vënë në ndjekje të dy bashkëpunëtorëve të tij. Sipas burimeve nga policia e Kavajës mësohet se 3 adoleshentët kanë mundur të vjedhin në dhoma të ndryshme, një shumë prej 600 eurosh në total. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të së martës në afërsi të plazhit të Golemit dhe është denoncuar në polici nga pushuesit, të cilët kur janë kthyer në dhomat e tyre kanë gjetur bravat e dyerve të prishura, si dhe kanë parë që u mungonin paratë. Menjëherë policia është vënë në ndjekje të autorëve të ngjarjes dhe vetëm mëngjesin e së mërkurës është bërë i mundur arrestimi i njërit prej tyre. Policia deklaron se ka arrestuar 19-vjeçarin Ervin Preçi, nga Rrësheni dhe banues në Tiranë. Ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij janë identifikuar, por ende nuk janë vënë në pranga nga policia. Policia e Tiranës deklaron në një njoftim për shtyp se bazuar në detyrat e dhëna nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, si dhe mbi planin e masave për sezonin veror 2009, vazhdon me intensitet puna për marrja e masave, me synim rritjen e cilësisë së shërbimit policor. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›