E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtet e këqija ekonomike, vetëvaret 17- vjeçari

Adoleshenti nuk mund të përballonte më skamjen në të cilën jetonte familja e tij dhe zgjodhi që vrasë veten

TIRANË- Kushtet e rënda ekonomike, çojnë në vetëvarje një 17-vjeçar nga kryeqyteti. R.D, u gjet i varur në një pemë në oborrin e banesës së tij që ndodhet në Bathore të Tiranës, mesnatën e së dielës duke u gdhirë dita e djeshme. Kanë qenë familjarët e adoleshentit ata të cilët konstatuan trupin e tij të varej me litar në një pemë. Menjëherë ata u përpoqën t’i jepnin ndihmën e parë, por ka qenë e kotë pasi 17-vjeçari kishte ndërruar jetë. Efektivat e policisë u njoftuan për vetëflijimin dhe shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes për të zbardhur rrethanat. Dy net më parë, 17-vjeçari ka pritur të flenë familjarët e tij moment të cilin e ka shfrytëzuar për të ndërmarrë aktin fatal. Ai ka dalë në oborrin e banesës së tij dhe me një litar është vetëvarur. Mungesa e adoleshentit në shtëpi ka detyruar familjarët e R.D, të dalin në oborr ku dhe janë tmerruar kur kanë parë trupin e tij të varej në pemë me një litar. Policia mori në pyetje të afërmit e viktimës për të zbardhur shkaqet që e kanë detyruar atë ti japë fund jetës. Nga hetimet e para policia deklaroi se ka qenë gjendja e rëndë ekonomike shkaku që ka çuar në vetëflijim R.D. “Familja e viktimës ishte në kushte të rënda ekonomike gjë e cila është përjetuar keq nga 17-vjeçari ndaj dhe dyshojmë se ai mund të jetë vetëvarur pasi nuk ka mundur të përballojë skamjen. Megjithatë paralelisht me këtë dyshim, po hetojmë edhe në disa pista të tjera të cilat mund të kenë çuar në vetëvarje adoleshentin”,- thanë për “Shekullin” burimet policore. Trupi i pa jetë i R.D, u transportua në morgun e spitalit për ekzaminime të mëtejshme dhe më pas iu dorëzua familjarëve. Ndërkohë që policia sekuestroi litarin me të cilin vari veten i riu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›